Document - Albania: "No place to call home" - adult orphans and the right to housing
Shqipëria
“Pa shtëpi, pa jetë” – Jetimët dhe e drejta për strehim
“E drejta e njeriut për strehim të përshtatshëm… ka një rëndësi shumë të madhe për të gëzuar të gjitha të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore”.
Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, Koment i Përgjithshëm 4

Shkodёr: Konvikti i shkollës industriale Arben Broci © AI
“Pa shtëpi, pa jetë” – Jetimët dhe e drejta për strehim 1
1. FËMIJËRIA – RRUGA DREJT PËRJASHTIMIT SOCIAL 7
1.2 Jetimët në përkujdesjen shtetërore 8
1.4 Jetimorja – deri në moshën 14/15 vjeç 11
1.5 Nga jetimorja, në shkollën e mesme (14/15 deri 18 vjeç) 12
1.6 Politika të reja për jetimët dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore 15
1.7 Përkujdesja rezidenciale jo shtetërore – strategji alternative 17
2. NË PRAG TË MOSHËS MADHORE 18
2.1 Në kërkim të një vendi për të jetuar 18
2.2 Në mes të katër rrugëve 21
3. E DREJTA E NJERIUT PËR STREHIM TË PËRSHTATSHËM 21
3.1 E drejta për strehim të përshtatshëm sipas të drejtës ndërkombëtare 22
3.2 Ligji shqiptar dhe e drejta e jetimit për prioritet në strehim 23
3.3 Politikat e qeverisë për strehimin 24
3.4. Legjislacioni për trajtimin nevojave për strehim të personave të varfër dhe të pambrojtur 26
4. REALITETI – JETIMËVE TË RRITUR U MOHOHET E DREJTA PËR STREHIM 28
4.1 Nga konvikti në …. konvikt 28
4.2 Kushtet në konviktet e banuara nga jetimët e rritur – strehim i papërshtatshëm 30
4.3 Hezitimi i shtetit për të përmbushur detyrimet ligjore 34
5. PLANET PËR BANESA SOCIALE – SHPRESË PËR TË ARDHMEN? 44
1. Në lidhje me të drejtën e jetimëve në moshë madhore për strehim të përshtatshëm 46
HYRJE
E drejta për strehim të përshtatshëm është një e drejtë që garantohet nga ligji ndërkombëtar. Pasja e një shtëpie është gjithashtu një nga nevojat njerëzore fizike dhe emocionale më urgjente, sidomos për ata që janë privuar nga stabiliteti, ngrohtësia dhe mbështetja praktike e jetës familjare, e cila përgjithësisht lidhet me shtëpinë. Jetimët në Shqipëri janë një grup i tillë; në shumë raste, kur arrijnë moshën madhore, ata përballen me një të ardhme pa një shtëpi apo punë të sigurtë. Në këtë mënyrë, pozita e tyre e pambrojtur vendoset para një prove të vështirë.
Dy 18-vjeçarë presin para bashkisë në Vlorë. Është fillim qershori 2007 dhe ata kanë mbaruar shkollën e mesme. Iu duhet të largohen brenda 10 ditëve nga konvikti ku kanë jetuar gjatë katër viteve të fundit. Por nuk kanë ku të shkojnë. Këta djem janë rritur nëpër jetimore, e nuk kanë asnjë familje apo shtëpi ku të shkojnë. Presin të takohen me kryetarin e bashkisë e t’i kërkojnë t’u plotësojë të drejtën e tyre të ligjshme për strehim. U kanë thënë se kryetari nuk është në zyrë. Por ata vendosin ta presin e të varin të gjitha shpresat tek ai.
Një ndërtesë e shkatërruar në qendër të Tiranës, një ish-konvikt i një shkolle të mesme me xhama të thyera dhe plehra të hedhura në pellgje të pista me ujë në hyrje të ndërtesës. Brenda saj, rreth 28 persona, shumica nga 25 deri 40 vjeç, përfshirë edhe një çift me një fëmijë, jetojnë nga tre veta në një dhomë. Edhe ata kanë qenë fëmijë jetimë dhe nuk kishin ku të shkonin pasi mbaruan shkollën e mesme. E vetmja zgjidhje që autoritetet kanë mundur t’u ofrojnë deri në këto caste është kjo ndërtesë e shkatërruar. Shumica jetojnë me punë të momentit, ose janë të papunë, e nuk mund të përballojnë blerjen apo qiranë e një shtëpie në tregun e lirë. Megjithëse kanë jetuar prej vitesh në këtë ndërtesë, apo në ndërtesa të ngjashme, ata e dinë se nuk kanë siguri se do të lejohen të rrinë aty, dhe se mund të nxirren jashtë. Skena të ngjashme përsëriten edhe në vende të tjera në Shqipëri në qytete si Shkodra, Korça dhe Elbasani. Edhe këtu, njerëzit që janë rritur nën kujdesin e institucioneve shtetërore, në shtëpitë e fëmijës, e kanë gjetur veten në moshën 18-vjeçare pa mbështetjen e prindërve a familjes dhe me pak alternativa, vetëm duke u kapur pas strehimit nëpër konvikte të vjetra dhe të pista ose vende të tjera të ngjashme, ndërsa presin, pa shumë shpresa, për të pasur një mundësi strehimi. Në të gjithë vendin numërohen rreth 340 jetimë në këto kushte.1
Në qershor 2007, një grua e re shtatëzënë prej nëntë muajsh, ra për vdekje nga kati i katërt i një prej materniteteve të Tiranës, ndërsa përpiqej të largohej prej andej duke lidhur çarçafët me njëri-tjetrin. Edhe fëmija i saj i palindur vdiq gjatë rënies. Artikujt e gazetave tregojnë se ajo ishte braktisur që fëmijë nga prindërit dhe ishte rritur në shtëpitë e fëmijës. Disa artikuj të tjerë pretendonte se ajo ishte trafikuar jashtë shtetit si prostitutë, ishte braktisur së fundmi nga i shoqi, dhe ishte e izoluar dhe në gjendje depresioni të thellë.2Këta artikuj, edhe pse hollësitë e tyre në disa pika bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, nxjerrin në pah një sërë problemesh që rëndojnë mbi shumë jetimë kur ata arrijnë moshën madhore, si: izolimi, papunësia, varfëria, sëmundjet mendore dhe të qenurit të pambrojtur ndaj shfrytëzimit seksual, probleme tek të cilat patjetër ndikon edhe mungesa e një strehimi të sigurt dhe të përballueshëm ekonomikisht.
Legjislacioni shqiptar e njeh gjendjen e pambrojtur në të cilën ndodhen jetimët, si dhe u njeh atyre një sërë të drejtash, përfshirë edhe të drejtën e përparësisë për strehim. Gjithsesi, në realitet kjo e drejtë përmbushet rrallë. Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Evropës3, me deficite të mëdha përsa i përket strehimit urban dhe këto rrethana përdoren në disa raste për të shpjeguar ose justifikuar mosdhënien e një strehimi të përshtatshëm për jetimët dhe grupeve të tjera në nevojë. Megjithatë, shteti është i detyruar të zbatojë ligjet e tij. Gjithashtu, shteti është ligjërisht i detyruar të zbatojë angazhimet e marra në bazë të legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Këto kërkojnë plotësimin, në mënyrë progresive, të së drejtës për strehim të përshtatshëm dhe në përputhje më burimet më të mëdha të mundshme, duhe u dhënë përparësi të menjëhershme të varfërve dhe personave në nevojë. Sipas pikëpamjes së Amnesty International, qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare kanë dështuar deri tani në plotësimin e këtyre detyrimeve.
Ky raport shqyrton se si mosmbrojtja siç duhet e të drejtave njerëzore të jetimëve në Shqipëri ka ndikuar në përkeqësimin e neglizhimit të tyre shoqëror ndërsa ata rriten. Raporti vë në kontrast të drejtën e tyre për strehim sipas legjislacionit ndërkombëtar dhe atij shqiptar, me kushtet e vajtueshme në të cilat ata gjenden kur arrijnë moshën madhore, si dhe tregon se si mohimi i kësaj të drejte ndikon në mundësinë që ata të gëzojnë të drejta të tjera, duke i çuar ata edhe më thellë në varfëri dhe përjashtim social.
Ky raport e hedh vështrimin edhe tek politikat e strehimit dhe programet egzistuese sociale të strehimit. Në vitin 2005 qeveria miratoi një program që parashikonte ndërtimin deri në vitin 2010 të 4.000 apartamenteve në të gjithë vendin, për familjet me të ardhura të pakta dhe për ato në nevojë. Ecuria e zbatimit të këtij programi deri tani ka qenë e ngadaltë. Gjithsesi, së fundmi qeveria ka siguruar fonde të huaja për ndërtimin e një numri të kufizuar banesash sociale. Amnesty International mirëpret të gjitha projektet të cilat do të rrisnin mundësitë për strehim për personat e varfër dhe ata në nevojë.

Protestë për të drejtat e jetimëve për strehim
© Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë
Raporti i Amnesty International mbyllet me një numër rekomandimesh: në mënyrë të veçantë organizata u bën thirrje autoriteteve qendrore dhe vendore shqiptare, si dhe donatorëve të huaj, që të sigurohen që ndërtimi dhe shpërndarja e shtëpive për personat në nevojë të bëhet në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente. Raporti kërkon që cënueshmëria e veçantë e jetimëve të cilët e kanë kaluar fëmijërinë në përkujdesje institucionale, të pasqyrohet në mënyrë të drejtë në çdo sistem që përdoret për përcaktimin e përparësive. Ai bën thirrje për veprime urgjente dhe efektive për të siguruar përmbushjen e të drejtave të këtyre njerëzve për strehim të përshtatshëm.
Gjatë fazës kërkimore për përgatitjen e këtij raporti, Amnesty International është konsultuar me një numër burimesh, përfshirë legjislacionin ndërkombëtar dhe atë shqiptar lidhur me këtë çështje, studime të bëra për fëmijët në përkujdesje shtetërore dhe të lidhura me çështjen e strehimit, si dhe me shtypin shqiptar. Raporti përmban edhe informacion të marrë nga intervista, të cilat të dërguarit e Amnesty International bënë gjatë prillit 2007 në Shkodër dhe Tiranë me persona të cilët gjatë fëmijërisë ishin nën përkujdesjen shtetërore dhe tani jetojnë në rrethana të pasigurta.4 Të dërguarit e Amnesty International u takuan edhe me organizata jo-fitimprurëse (OJF) të cilat përfaqësonin jetimët dhe me zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe të bashkive që kishin përgjegjësi për çështjet e jetimëve, strehimit dhe përkujdesjes sociale. Për të krijuar një tablo më të plotë të qasjeve të tjera për përgatitjen e adoleshentëve për jetën kur ata të rriten, të dërguarit e Amnesty International folën dhe me drejtues e anëtarë të OJF-ve të ndryshme të cilat, me licensim të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale) sigurojnë përkujdesje alternative rezidenciale (jo shtetërore) për fëmijët jetimë, ose për ata të mbetur përkohësisht apo përgjithmonë pa përkujdesje prindërore.
1. FËMIJËRIA – RRUGA DREJT PËRJASHTIMIT SOCIAL
Përjashtimi social është “Një process ku individë të caktuar shtyhen në skajet e shoqërisë dhe ndalohen të marrin pjesë plotësisht në të për shkak të varfërisë, mungesës së aftësive apo mundësive për të mësuar shkathtësi për jetën, ose si rezultat i diskriminimit.”
Komisioni Evropian (2004) Raporti i Përbashkët për Përfshirjen Sociale
Amnesty International beson se mospërmbushja nga ana e shtetit shqiptar e së drejtës së jetimëve për të pasur përparësi në strehim, kontribuon në përjashtimin e tyre social. Por, përjashtimi social është një proces. Shumë përpara se t’u jetë mohuar e drejta për strehim, jetimët mund të kenë pësuar dhunime të të drejtave të tjera njerëzore, në mënyrë të veçantë të të drejtave si fëmijë, të cilat mund të pengojë integrimin e tyre social të mëtejshëm. Faktorë të tjerë që ndikojnë në skajëzimin e jetimëve përfshijnë qëndrimin e shoqërisë ndaj tyre.
Shqipëria duhet të plotësojë detyrimet ndaj Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (KDF), të cilën e ka ratifikuar në vitin 1992. Përmbledhja e shkurtër më poshtë tregon atë çka siguron shteti për jetimët në jetimore dhe më vonë kur ata janë në shkollë të mesme. Përmbledhja kërkon të identifikojë disa prej rasteve në të cilat shteti nuk zbaton plotësisht të drejtat e përcaktuara në KDF në këtë fazë të jetës së tyre, dhe se si ky dështim mund t’i vendosë më vonë jetimët në një situatë të vёshtirё kur përballen me sfidat e jetës si të rritur.
1.1 Pa familje
“Kur s’ke ngrohtësinë e nënës dhe babës është shumë e vështirë. Në Shqipëri të përbuzin shumë kur je jetim; të shohin me një sy tjetër …”
B., jetim në moshë madhore intervistuar nga AI në prill 2007
Të rinjtë e rritur në Shqipëri që nga fundi i regjimit komunist në vitin 1991 e arritën këtë moshë në një kohë tranzicioni të shpejtë, kaotik dhe nganjëherëtë dhunshëm drejt një sistemi shumë-partiak dhe drejt ekonomisë së tregut. Për ta familja është tejet e rëndësishme si një burim qëndrueshmërie emocionale dhe mbështetjeje praktike. Shtëpia, edhe kur aty jetojnë shumë persona, siguron një strehë. Lidhjet familjare dhe farefisnore shpesh të sigurojnë punësim dhe jo rrallë luajnë rol në gjetjen e një bashkëshorti.
Pa mbështetjen e familjes, jetimët janë mes anëtarëve më në nevojë të shoqërisë shqiptare. Gjendja e tyre qenësisht e pambrojturmund të përkeqësohet nga faktorë të tillë si trauma të fëmijërisë, institucionalizimi dhe mospërgatitja siç duhet për një jetë të pavarur si të rritur. Përfaqësuesit e jetimëve dhe zyrtarët e qeverisë bien dakord se në përgjithësi jetimët nuk kanë rezultate të larta në shkollë dhe rrezikojnë të përjetojnë varfëri dhe përjashtim social.
Jetimët në moshë madhore të intervistuar nga Amnesty International ishin të vetëdijshëm për mungesën e mbështetjes dhe dashurisë prindërore. Megjithëse legjislacioni shqiptar parashikon lirinë ndaj diskriminimit, ata i referohen shpesh “stigmës” së të qenit jetimë, të manifestuar në paragjykimet dhe stereotipet negative. Ashtu siç u ankua edhe një jetim i rritur: “Gjithashtu ndaj [jetimeve] ekziston dhe një mentalitet përçmues, si njerëz pa prindër e pa edukatë, prej të cilëve gjithçka mund të pritet.”
Sipas mendimit të një jetimi tjetër, stigma lidhet me një rënie të solidaritetit social në një shoqëri gjithënjë e më konkuruese. Duke konfirmuar pjesërisht këtë ide, drejtori i Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, një jetimore për fëmijë nga 6 në 14 vjeç, informoi Amnesty International se në të kaluarën ishte e mjaft e zakonshme që familjet e vendit të ftonin rregullisht për vizitë në shtëpitë e tyre jetimët; në këtë mënyrë krijoheshin lidhje që zgjasnin. Ai komentoi se një gjë e tillë tani është mëe rrallë. Rëndësia e këtyre kontakteve tregohet në komentet e bëra nga një jetim për familjen e cila e mbajti afër kur ishte në shtëpinë e fëmijës: “Unë e vizitoj akoma atë familje. Prej tyre mësova ç’ishte jeta familjarë, lidhjet familjare dhe sjellja shoqërore.” Është e qartë se pakësimi i këtyre kontakteve mes jetimëve dhe komunitetit më të gjerë pengon shoqërizimin e jetimëve dhe kontribuon në ndjesinë e tyre të përjashtimit.
1.2 Jetimët në përkujdesjen shtetërore
Në Shqipëri ka një presion shoqëror mbi të afërmit që të marrin nën kujdes fëmijët nëse prindërit e tyre kanë vdekur ose nuk janë të aftë të kujdesen për ta për çfarëdolloj arsyeje. Në disa zona, në rast të vdekjes së babait, nëna mund të kthehet në familjen e saj të origjinës dhe fëmijët mbeten nën përkujdesjen e gjyshërve, ose të të afërmve të tjerë nga ana e babait.5Si pasojë e kësaj tradite, ka shumë pak fëmijë nëpër jetimore, për momentin janë rreth 600.6Nga këta, rreth 400 janë në institucione shtetërore nën varësi të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ndërsa të tjerët janë në institucione private që drejtohën nga OJF ose fondacione. Ka gjithsej nëntë jetimore shtetërore7që përkujdesen për fëmijë të ndarë sipas moshës (nga lindja deri në katër vjeç; katër deri në gjashtë vjeç; dhe gjashtë deri në katërmbëdhjetë vjeç).8
Megjithatë, ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri në 15 vitet e fundit kanë pasur një efekt të fortë mbi martesën dhe solidaritetin familjar. Varfëria, emigrimi dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë, si dhe ekspozimi ndaj roleve dhe vlerave të ndryshme sociale, kanë dobësuar lidhjet familjare. Dhuna në familje është dukuri e pёrhapur9dhe gjykatat raportojnë se divorcet janë në rritje. Masat e Kodit të Familjes të vitit 2003, të cilat parashikojnë që në raste divorci, nënat që marrin kujdestarinë e fëmijëve të rrinë në pronën e familjes, ose që babai duhet të kontribuojë për kujdesjen ndaj fëmijës, nuk zbatohen siç duhet. Nëse babai nuk është në gjendje ose nuk do ta mbështesë familjen, nëna shpesh nuk ka mundësi që e vetme të përkujdeset për fëmijët; mbështetja shtetërore (asistenca ekonomike) është e pamjaftueshme,10dhe diskriminimi ndaj grave në fushën e punësimit është mjaft i përhapur.
Këto ndryshime pasqyrohen në profilin e fëmijëve që janë nën përkujdesjen e jetimoreve. Më parë, shumica e tyre qenë të ashtuquajturit jetimë “biologjikë” që nënkupton se u kishin vdekur të dy prindërit. Aktualisht, ka relativisht pak jetimë të tillë në shtëpitë e fëmijës, pjesërisht sepse për ta përkujdesen të afërmit dhe pjesërisht prej birësimeve. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e fëmijëve janë jetimë “socialë”. Ky term përfshin fëmijë të lindur jashtë martese, nënat e të cilëve nuk mund t’i rrisin, fëmijë të braktisur nga prindërit dhe fëmijë të marrë nën përkujdesje me urdhër gjykate, për shkak se prindërit e tyre janë të paaftë që të përkujdesen për ta përkohësisht apo përgjithmonë. Në shumicën e rasteve të tilla, shkaqet e vendosjes së këtyre fëmijëve nën përkujdesjen shtetërore janë varfëria dhe faktorë të tjerë shoqërues si: emigrimi, zgjidhjet e martesës, sëmundjet mendore ose fizike, burgosja ose pasojat e dhunës në familje apo gjakmarrjes. Amnesty International është e shqetësuar se numri i këtyre jetimëve “sociale” thuhet se është në rritje.
Në mars të vitit 2005, Komiteti për të Drejtat e Fëmijës, një komitet me ekspertë të pavarur që mbikqyrin zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, u shpreh se “mbetet i shqetësuar që fëmijët mund të… vendosen në institucione nga prindërit e tyre për shkak të situatës së vështirë ekonomike.” Komiteti rekomandoi që Shqipëria:
“(a) Të marrë masa efektive për të rritur mbështetjen për familjet, duke zhvilluar një politikë familiare gjithëpërfshirëse në qendër të të cilës të jenë fëmijët, për të siguruar që familjet të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi;
(b)Të përmirësojë asistencën sociale dhe të mbështesë familjet nëpërmjet këshillimeve dhe edukimit, me qëllim nxitjen e marrëdhënieve pozitive prind-fëmijë.11
1.3 E drejta për mbrojtje të veçantë e jetimëve dhe fëmijëve të tjerë të privuar nga mjedisi familjar
Në bazë të nenit 20 të KDF:
“Një fëmijë, të cilit i mohohet në mënyrë të përkohshme ose të përhershme mjedisi i tij familjar, ose që për të mirën e tij nuk mund të lejohet të qëndrojë në këtë mjedis, ka të drejtë për një mbrojtje dhe një ndihmë të posaçme nga shteti”.
Mbrojtja dhe ndihma e posaçme duhet të ofrohet deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare (një konsensus i përgjithshëm ndërkombëtar e ka vendosur moshën madhore në 18 vjeç.12) Ky detyrim pasqyrohet në Kushtetutën shqiptare, e cila garanton të drejtën e fëmijës për mbrojtje të veçantë (neni 54) dhe deklaron se është një nga objektivat socialë të shtetit të sigurojë përkujdesje dhe ndihmë për jetimët (neni 59.1e). Kur një fëmijë vendosët nën përkujdesjen e një institucioni, ky institucion merr përsipër të ushtrojë përgjegjësitë e kujdestarit (neni 271 i Kodit të Familjes 2003). Neni 224 i Kodit të Familjes sqaron se në raste të tilla institucioni ushtron përgjegjësitëprindërore, të cilat përcaktohen në nenin 3: përgjegjësi për “për rritjen, zhvillimin, mirëqenien, edukimin dhe arsimin” e fëmijës.
1.4 Jetimorja – deri në moshën 14/15 vjeç
Në vitin 2005 ekspertët e Shërbimit Social Shtetëror të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, në një dokument që përcaktonte strategjinë e Shërbimeve Sociale për pesëvjeçarin në vazhdim, identifikuan një numër problemesh në lidhje me përkujdesjen për jetimët në institucionet shtetërore. Disa nga këto lidheshin me mungesën e investimeve në jetimore (cilësi e ulët e shërbimeve, infrastrukturës dhe personelit). Probleme të tjera lidheshin me çështje si transferimi i shpeshtë i fëmijëve nga një jetimore në tjetrën për shkak të ndarjes në bazë moshe; niveli i ulët i arritjeve në shkollë nga fëmijët; paaftësia për t’i përgatitur ata për një jetë të pavarur dhe të qenit të pambrojtur ndaj abuzimit dhe shfrytëzimit seksual. Zgjidhjet kryesore tëparashikuara ishin: mbështetje më e madhe tek përkujdesja e tipit familjar, përfshirë vendosjen e fëmijës në kujdestarinë e familjeve të paguara nga shteti dhe birësimin e hershëm, si dhe decentralizimi i shërbimeve sociale.13
Disa nga problemet e listuara në këtë dokument përbëjnë një dhunim të detyrimeve të Shqipërisë për të siguruar mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë për jetimët, por gjithashtu, më specifikisht, dhunime të së drejtës për të pasur një arsimim që do të zhvillojë “personalitetin, talentin dhe mundësitë mendore dhe fizike të fëmijës në gjithë potencialin e tyre” dhe për ta përgatitur fëmijën “për një jetë të përgjegjshme në një shoqëri të lirë” si dhe të së drejtës së fëmijës për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual.14Për më tepër, një numër jetimësh të rritur të intervistuar nga Amnesty International pretendonin se në të kaluarën, kur ishin të vegjël, ishin keq-trajtuar fizikisht nga personeli i jetimores ose nga fëmijët e tjerë. Duket se tashmë ka një sensibilizim më të madh përsa i përket gjendjes së pambrojtur të fëmijëve në jetimore, si dhe nevojës për të vëzhguar kushtet dhe trajtimin e tyre.15Gjithsesi, shtypi ka vazhduar të raportojë herë pas here, pretendime sipas të cilavepersoneli i jetimoreve i ka keqtrajtuar fëmijët apo ka abuzuar seksualisht me ta.16Një keqtrajtim i tillë është një dhunim i nenit 19.1 të KDF, i cili u kërkon shteteve të “marrin të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën kujdesin e prindërve të tij, ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë, ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar.”
1.5 Nga jetimorja, në shkollën e mesme (14/15 deri 18 vjeç)
“Shtetet Palë bien dakord që arsimimi i fëmijës të ketë për synim: Të zhvillojë personalitetin, dhuntitë dhe aftësitë mendore e fizike të fëmijës në gjithë potencialin e tyre”.
Neni 29.1 (a) i KDF
“Fëmijët e rritur në institucione dallohen për një shkallë më të ulët të zhvillimit intelektual, e cila reflektohet në rezultatet e ulta në mësime. [Vetëm] një numër i vogël arrijnë të vazhdojnë shkollat e larta.
Mungojnë programet e trajtimit për fëmijët jetimë që nuk vazhdojnë shkollat e mesme dhe kanë rezultate të ulta në mësime.
Nuk mbahet parasysh dëshira e fëmijëve në zgjedhjen e shkollës apo të profesionit.
Nuk ka informacion të saktë e ndjekje pas daljёs të tyre nga institucioni.
Janë të pamjaftueshme shërbimet alternative.”
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Strategjia e Shërbimit Social 2005 – 2010, Tiranë 2005
Në moshën 14 ose 15 vjeçare jetimët në parim e kanë mbaruar shkollimin e detyrueshëm dhe largohen nga jetimorja.17 Për adoleshentët në vitin e fundit të arsimit tetëvjeçar, perspektiva e largimit nga mjedisi i njohur, nga jetimorja, nga shkolla e tyre, nga bashkëmoshatarët dhe nga personeli i shkollës dhe jetimorës, mund të jetë shumë e frikshme. Në shtator të vitit 2006 A., një jetime 14 vjeçare në qytetin e Shkodrës, vlerësoi përkujdesjen që kishte marrë në jetimoren e qytetit, por shtoi: “Ndërkohë ka filluar të më pushtojë ankthi se ç’do të bëhet me mua dhe bashkëmoshataret e mia vitin tjetër, ku do të strehohemi, ku do të ushqehemi, me se do të vishemi?”… i lutemi shtetit të na ndihmojë, i lutemi të mos na braktisë”.18
Në praktikë, shumica e fëmijëve të jetimoreve shtetërore vazhdojnë shkollën e mesme, zakonisht atë profesionale.19Gjatë kësaj kohe ata janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit dhe u sigurohet qëndrimi falas në konviktet e shkollës, arsimimi, ushqimi dhe 10.000 lekë në vit për veshje, si dhe një pagesë e përmuajshme për shpenzime personale minimale prej 500 lekësh.20Jetimët kanë pak zgjedhje. Strehimi nëpër konvikte është pothuajse e vetmja zgjidhje për strehimin që u ofrohet jetimëve të kësaj grupmoshe (14 deri 18 vjeç), ku ata strehohen së bashku me nxënës që vijnë nga rrethet e tjera. Përsa u përket fëmijëve që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të ndjekin shkollat e mesme, shteti nuk u siguron asgjë përveçse u lejon atyre që nuk kanë mbaruar ende arsimin e detyruar të qëndrojnë në jetimore deri në moshën 17 vjeç.
Konventa për të Drejtat e Fëmijës u kërkon shteteve palë që: "Të bëjnë të mundur që çdo fëmijë të ketë mundësi të shfrytëzojë informacione dhe udhëzime për çështje arsimore dhe profesionale” dhe sanksionon të drejtën e fëmijës për të shprehur mendimin e tij/saj për çdo çështje që lidhet me të, si dhe për t’u dhënë këtyre mendimeve peshën e duhur.21Në kundërshtim me këto detyrime, fëmijëve në jetimoret shqiptare jo gjithomonë u merret mendim përsa i përket zgjedhjes së shkollës. Në praktikë, zgjedhja e shkollës mund të mos varet shumë nga aftësitë apo preferencat e fëmijës sesa nga faktorë të tjerë si lidhja e jetimit me vendlindjen apo me të afërm që jetojnë pranë, si dhe vendet e lira në një shkollë të caktuar e në konvikte.22
Kur flasin për eksperiencat e tyre gjatë shkollës së mesme, jetimët theksojnë shkëputjen e papritur të lidhjeve me jetimoren e tyre dhe tranzicionin e menjëhershëm nga jeta e institucionalizuar dhe e mbikqyrur e jetimores ku “edukatorët” kontrollonin detyrat e shtëpisë dhe ndjekjen e shkollës. B. tha: “Kur mbarova klasën e tetë dhe erdha në këtë konvikt, s’ka ardhur asnjë [nga jetimorja] të më takojë deri më sot. Ata erdhën vetëm që të dorëzonin dokumentet e mija në konvikt…”
Kjo ndjenjë braktisjeje mund të përkeqësohet nga kushtet e këqija të jetesës. Disa konvikte janë të mbipopulluara dhe jo të mirëmbajtura.23C., 26 vjeç, i tha Amnesty International: “Jetimorja ka kushte shumë më të mira se konvikti. Pasi del nga jetimorja të duket vetja se ke përfunduar në rrugë të madhe. Në konvikt ka një kujdestar që duhet të kujdeset për të gjithë nxënësit konviktorë, por nuk ka një kujdestar të veçantë për jetimët. Kujdestari nuk do t’ia dijë nëse ti shkon apo jo në shkollë. Shteti të jep një bursë, një krevat për të fjetur, të ushqen. Kam shumë shokë e shoqe jetimë që e kanë lënë shkollën përgjysmë sepse nuk kishin asnjë lloj përkrahjeje.” Në rastin e tij, tha ai, ai ka qenë i shtyrë për të vazhduar studimet nga pastrueset e konviktit që interesoheshin për të.
Historia e C. tregon mungesën e mbështetjes dhe mbikqyrjes për të cilën shumica e adoleshentëve kanë nevojë në mënyrë që të përfundojnë shkollën e mesme dhe vazhdojnë me sukses jetën si të rritur. Si rrjedhim, shumë jetimë e lënë shkollën, ose e ndjekin atë me hope, duke pakёsuar kështu shanset e ardhshme për punësim. Rëndësia e një mbikqyrjeje të tillë nënvizohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila kërkon marrjen e masave për të “…inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e numrit të rasteve të braktisjes së shkollës”.24Karta Sociale Evropiane e Rishikuar e Këshillit të Evropës e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2002, kërkon në të njëjtën mënyrë “mbrojtje dhe ndihmë të veçantë nga shteti për fëmijët dhe të rinjtë që janë të privuar përkohësisht ose përfundimisht nga mbështetja e familjes” dhe i detyron shtetet të inkurajojnë frekuentimin e rregullt të shkollës.25
Moszbatimi i këtyre detyrimeve nga shteti, jo vetëm që ul mundësitë e fëmijës për të mbaruar me sukses shkollën e mesme, por edhe përforcon tek ai ndjenjën e izolimit, të cilën jetimët e përjetojnë pothuajse në mënyrë të pashmangshme. Sepse jeta si nxënës i shkollës së mesme dhe si banor i konvikteve priret ta thellojë ndjenjën e përjashtimit social të jetimit, dhe jo ta ndihmojë në procesin e integrimit shoqëror. Ndërkohë që nxënësit e tjerë kthehen pranë familjeve për pushime ose gjatë fundjavës, jetimët mund të kalojnë gjithë vitin në konvikt, përfshirë edhe gjithë, ose pjesën më të madhe, të pushimeve të verës. B. komentoi: Shoqet e mia shkonin me pushimet e verës, blinin gjëra për veten e tyre. Kurse unë rrija në një cep deri sa të binte zilja e të shkoja prapë në klasë.” B. gjithashtu u shpreh se në klasë kishte diskriminim: “E kam ndjerë veten shumë të përbuzur kur kam qenë në shkollë. Sa merrnin vesh mësueset që vija nga shtëpia e fëmijës, më thoshin lloj lloj fjalёsh si: ‘Kështu jeni ju të shtëpisë së fëmijës.’”
Karta Sociale Evropiane e Rishikuar e Këshillit të Evropës kërkon specifikisht nga shtetet që të “mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga neglizhenca, dhuna dhe shfrytëzimi” (neni 17.1b). Duke mos mbajtur parasysh këtë detyrim dhe detyrë kushtetuese për të siguruar “mbrojtje të veçantë” të jetimëve, shteti i lë ata të pambrojtur ndaj shfrytëzimit. Vajzat e reja jetime, në mënyrë të veçantë, janë në shënjestër të trafikantëve, të cilët përfitojnë nga fakti që ato nuk kanë prindër që të përkujdesen. Papjekuria e tyre, nevoja e tyre për dashuri, për siguri dhe mirëqenie materiale, i bën ato pre të lehtë.26 Jetimët e tjerë mund të tërhiqen në botën e krimit. D. një djalë i ri, i tha Amnesty International: “Fillova shkollën e mesme por nuk e mbarova asnjëherë. Iu futa drogës, e përfundova keq. Kam qenë në burg katër here… Shteti nuk do t’ia dijë për ne. Më vjen keq që të flas me këtë ton, por realiteti është që nuk ka shtet. Janë disa organizata jo-qeveritare të cilat na ndihmojnë jashtë mase.”
Gjendja e jetimëve, në prag të moshës madhore, është shpesh e errët, sikurse përmblidhet nga ekspertët e Shërbimit Social të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale:
“Fëmijët janë të papërgatitur për jetë të pavarur pas moshës 18 vjeç;
Nuk janë të siguruar me strehim dhe punë pas mbarimit të shkollës.
Janë më të rrezikuar nga abuzimi seksual, shtatzania e hershme dhe përfshirja në rrjetet e trafikut dhe të prostitucionit.”27
1.6 Politika të reja për jetimët dhe fëmijët pa përkujdesje prindërore
Shtetet palë të Konventës për të Drejtat e Fëmijës njohin përgjegjësinë e prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes për të siguruar “drejtimin dhe udhëzimet e duhura për ushtrimin prej fëmijës të të drejtave [të sanksionuara në KDF]”28. Kjo, sipas Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, nënkupton që shtetet nuk duhet t’i heqin fëmijët nga mbrojtja e mjedisit familjar, përveçse kur kjo është në interesin më të mirë të tyre, dhe se duhet të kërkojnë mjedise familjare alternative kur kjo është e mundur, përfshirë të afërmit e fëmijës, familje kujdestare të paguara nga shteti dhe familje birësuese.29Komiteti konsideron se përkujdesja e gjatë institucionale duhet të mënjanohet aty ku është e mundur. Si KDF ashtu edhe agjensia e OKB-së për fëmijët UNICEF, e konsiderojnë këtë si mjet të fundit,30për shkak të pengesave që kjo paraqet në përgatitjen e fëmijës për një jetë të pavarur.
Në përgjithësi, politikat e tanishme për fëmijët e privuar nga përkujdesja prindërore duket se reflektojnë strategjinë e parashikuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në vitin 2005 si edhe një largim nga përkujdesja e gjatë institucionale, siç rekomandohet (më lart) nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës. Gjithsesi, këto politika janë ende në fazën fillestare të zbatimit.
Në korrik të vitit 2007, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale njoftoi një politikë të përpunuar me mbështetjen e UNICEF-it, e cila do të provohet në Tiranë dhe në Shkodër. Sipas kësaj politike, fëmijët do të vendosen në jetimore vetëm si mundësi e fundit dhe, aty ku është e mundur, përkohësisht. Në vend të kësaj, qeveria do të inkurajojë birësimin, aty ku duhet, si dhe vendosjen e fëmijëve në familje kujdestare të paguara nga shteti. Aty ku është e mundur, qeveria do të ndihmojë prindërit apo të afërmit që t'i mbajnë fëmijët në familje duke u dhënë atyre ndihmë ekonomike, ose mbështetje tjetër.31
Ndërkohë, decentralizimi i sigurimit të shërbimeve sociale është në rrugë e sipër dhe përgjegjësia mbi jetimoret po transferohet tek autoritetet vendore.32Rekomandimet e bëra në vitin 2005 nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës përqendrohen tek nevoja për të marrë masa për të siguruar që politikat e tanishme qeveritare të mbrojnë interesin më të mirë të fëmijës. Komiteti i beri thirrje Shqipërisë që:
(c) Të shtojë përpjekjet në fushën e de-institucionalizimit, duke siguruar edhe ekzistencën e strukturave paralele për të dhënë në vazhdimësi mbështetjen dhe shërbimet e duhura për ri-integrim për fëmijët që largohen nga kujdesi institucional;
(d) Të përcaktojë procedura që sigurojnë që fëmijët, të cilët aktualisht jetojnë në institucione që po mbyllen, të informohen plotësisht, të mund të marrin pjesë në vendimin për vendin ku do të shkojnë në të ardhmen dhe që këta fëmijë të gëzojnë të drejtat e tyre për mbrojtje sociale.”33
1.7 Përkujdesja rezidenciale jo shtetërore – strategji alternative
Sikurse u përmend më lart, janë rreth 200 fëmijë në përkujdesje rezidenciale të administruar nga OJF dhe fondacione të licensuara nga shteti, i cili përgjigjet për monitorimin e standarteve të tyre të përkujdesjes. Gjatë vizitës në Shqipëri në prill 2007, të dërguarit e Amnesty International patën mundësinë të mësonin mbi përkujdesjen e ofruar nga disa prej këtyre institucioneve në Tiranë dhe Elbasan. Më i madhi dhe më i hershmi i këtyre institucioneve është Fshati SOS, i cili ndodhet në të dalë të Tiranës dhe është themeluar në fillim të viteve ’90. Këtu fëmijët janë grupuar në “familje” me deri në shtatë fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët jetojnë në një shtëpi si një familje nën kujdesin e “nënës” që jeton me ta. Ata ndjekin shkollën nëntë-vjeçare të Fshatit SOS, e cila ofron shkollim edhe për pjesën tjetër të komunitetit vendor. Kur arrijnë moshën për të ndjekur shkollën e mesme, përparimi i tyre vazhdon të mbështetet dhe mbikqyret, si dhe bëhen marrëveshje në mënyrë që ata të përfitojnë eksperiencë punë me bizneset vendore. Më pas, ata mbështeten për të gjetur punë dhe strehim në sektorin privat. Mbështetja vazhdon, por vjen duke u zvogëluar gradualisht, derisa i riu bëhet plotësisht i pavarur. Projekte të tjera deri diku të ngjashme ka edhe në Elbasan, si p.sh. "Tjetër Vizion", apo " Shtёpia e Shpresёs". Të gjitha këto theksojnë rëndësinë e mbajtjes dhe inkurajimit të lidhjeve, aty ku është e mundur, të fëmijëve me të afërmit e tyre.
Ende është e vështirë të vlerësosh suksesin e metodave të përdorura nga këto institucione, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të fëmijëve që janë “diplomuar” në to. Gjithsesi, ndryshe nga jetimoret shtetërore, ato kanë si qëllim të sigurojnë mbrojtje dhe përkujdesje për fëmijët deri në moshën madhore. Ato gjithashtu marrin masa aktive për t'i përgatitur të rinjtë për një jetë të pavarur dhe lehtësojnë integrimin e tyre shoqëror.
Megjithatë, Amnesty International është e shqetësuar se këto projekte, të cilat në fakt kalojnë disa prej përgjegjësive shtetërore mbi shpatullat e OJF-ve, kanë rreziqet e tyre. OJF-të shpesh bëjnë një punë të shkëlqyer dhe japin modele dhe standarde të vlefshme. Gjithsesi, nisma të këtij lloji janë subjekt i mbështetjes së ndihmës ndërkombëtare, vazhdimësia e së cilës nuk është e sigurt. Mbetet detyrë e shtetit shqiptar të sigurojë të drejtat e këtyre fëmijëve, pavarësisht se kush e siguron shërbimin. Kjo përfshin detyrime për dhënien e fondeve, si dhe detyrimin për të mbikqyrur dhe rregulluar shërbimet, për të siguruar që ato të përputhen me të drejtat e fëmijës.
2. NË PRAG TË MOSHËS MADHORE
2.1 Në kërkim të një vendi për të jetuar
Me mbarimin e vitit tё parafundit të shkollës, institucionet që trajtojnë jetimë përfshirë dhe ato arsimore, janë të detyruara tё dërgojnë në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, si edhe tek autoritetet vendore të shërbimit social, statistika tё sakta, në mënyrë që të merren masa për të siguruar strehimin dhe punësimin e jetimёve.34
N

Bashkia e Vlorës © AI
ë realitet, autoritetet përgjithësisht e kanë neglizhuar këtë përgjegjësi. Tetëmbëdhjetëvjeçarë që mbarojnë shkollën e mesme (si dhe jetimë më të vegjël, ende fëmijë, që lënë shkollën), mund të gjenden në një situatë ku nuk është bërë asgjë për strehimin e tyre. Sikurse tregon shembulli në vazhdim, ata rrezikojnë të ballafaqohen me zgjedhjen mes një strehimi të qelbur dhe të pasigurt, dhe rrugës.Vasil Stefa dhe Marsel Guri janë dy djem të rinj 18-vjeçarë. Ata janë rritur në shtëpinë e fëmijës së Vlorës deri në moshën 14 vjeçare dhe kanë vazhduar katër vjetët e tjera duke ndjekur shkollën e mesme industriale në Vlorë dhe kanë jetuar në konviktin e kësaj shkolle. Në fillim të qershorit 2007 ata mbaruan shkollën e mesme, dhe donin të vazhdonin studimet universitare. Një artikull gazete e përshkruan mëdyshjen e tyre:
“Përpara disa ditësh, dy adoleshentët u përshëndetën me shokët e tyre maturantë... Por, ndërsa shokët janë kthyer në shtëpitë e tyre, për këta djem dita e fundit e shkollës ka qenë mjaft e hidhur. Ata tani mendojnë se ku do të kalojnë ditët e tjera të jetës, pa asnjë strehë. Deri në datën 20 qershor, konvikti i shkollës së mesme industriale do të kryejë procedurën për të gjithë konviktorët e saj. Më pas, ata do të largohen dhe askush nga autoritetet e këtij konvikti nuk përgjigjet se ku do të kalojnë ditët këta fëmijë jetimë. Dje, Vasili dhe Marseli kanë qëndruar për disa orë në portën kryesore të bashkisë, për një takim me kryebashkiakun e Vlorës... Ata kërkojnë një strehë për të jetuar, pasi tashmë ndodhen në mes të katër rrugëve dhe këtë strehëz ata e kërkojnë nga autoritetet lokale. Djemtë kanë shumë shpresë se kryetari i Bashkisë së Vlorës do të gjejë një zgjidhje për ta… Dje, kryetari nuk ishte, por djemtë kanë vendosur ta presin”. Siç tha edhe një nga djemtë: “Jetojmë edhe pa bukë, po strehëza për ne është e domosdoshme. Asistenca që marrim është minimale, por kjo nuk na shqetëson. Një strehë për të futur kokën është gjithçka që ne duam”35
Vlorë: kushtet në ish-konviktin e Shkollës Tregëtare © AI
I

© AI
njëjti artikull shprehet se strehimi më i mundshëm për dy djemtë ishte një dhome tek ish-konvikti i shkollës tregëtare në Vlorë, ku jetojnë gjashtë jetimë, tre prej te cilave femra. Kjo ndoshta konfirmohet nga një tjetër artikull i shtypit në tetor 2007, sipas të cilit tani konvikti banohet nga tetë jetimë. Njëri prej tyre është Renato Kalemi, i cili është i paralizuar dhe përdor një karrocë për të sëmurë me të meta fizike.Strehimi këtu është i pisët dhe nuk ka as minimumin e standarteve të higjienës. Ndërtesa ka minj dhe vjen erë nga tubat e ujrave të zeza. Banorët nuk kanë kushte për jetë private (flenë disa vetë në një dhomë). Gjithashtu nuk kanë as siguri se për sa kohë mund të vazhdojnë të jetojnë në atë ndërtesë. Tani ajo është pronë private, dhe mesa duket, pronari u ka kërkuar disa herë banorëve të largohen.36Këto kushte përforcojnë më së miri skajëzimin e jetimëve dhe pengojnë, ose bllokojnë procesin e integrimit të tyre social.
2.2 Në mes të katër rrugëve
Jetimë të tjerë në moshë madhore, sidomos ata që nuk kanë vazhduar shkollën e mesme, apo e kanë lënë shkollën, mund të përfundojnë në rrugë të madhe, ose të mbajnë shpresat tek strehimi i përkohshëm i siguruar nga OJF-të. Amnesty International mësoi se në Shkodër, rreth 10 jetimë në moshë madhore deri vonë kanë jetuar në strehë të përkohshme ku të mundnin: në kasolle, bodrume, ose në mjediset e bizneseve. Shumica thuhet se më pas kanë gjetur strehim me projektin Casa Famiglia të një OJF-je italiane. Gjendja e tyre e mëparshme ilustrohet nga shembujt e mëposhtëm të marrë nga artikujt e shtypit.
Në shkurt të vitit 2005, Elvis Kalvari, 22 vjeç, i cili u braktis që i porsalindur dhe u rrit nëpër jetimore, jetonte në një bodrum pa dritare nën shkallët e stadiumit të Shkodrës. Pajisjet e vetme që kishte ishin disa fuçi plastike dhe dërrasa, dhe një sustë krevati pa dyshek. Rrobat që vishte ia kishin dhënë banorët e qytetit. I papunë, ai jetonte me ndihmën ekonomike të shtetit prej 2.200 lekë në muaj, dhe me ndihmën që i jepte pronari i një pike karburanti aty pranë, ku ai ndihmonte për gjëra të ndryshme.37
Në prill të vitit 2005, një tjetër jetim në moshë madhore, Gëzim Handraj, 21 vjeç, jetonte në një kasolle bosh. Ai përpiqej të siguronte jetesën duke prerë dhe shitur dru (një tregëtar vendas i kishte dhënë një karrocë). Megjithëse kishte kaluar më shumë se një vit që kur ai ishte larguar nga jetimorja, ai ende nuk merrte ndihmën ekonomike që i takonte nga shteti. Shoqata Kombëtare e Jetimëve po e ndihmonte të përgatiste dokumentacionin e nevojshëm dhe i kishte dhënë disa shtresa dhe rroba.38
3. E DREJTA E NJERIUT PËR STREHIM TË PËRSHTATSHËM
“ … e drejta për të jetuar diku në siguri, paqe dhe me dinjitet …”39
3.1 E drejta për strehim të përshtatshëm sipas të drejtës ndërkombëtare
E drejta për strehim të përshtatshëm është e mbrojtur nga një sërë traktatesh ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në të cilat Shqipëria është pjesëtare, përfshirë Konventën Ndërkombëtare për të Drejta Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (KNDESK, neni 11.1),40Konventa për të Drejtat e Fëmijës (neni 27.3) dhe neni 31 i Kartës Sociale Evropiane të Rishikuar41. Në bazë të nenit 11.1 të KNDESK:
“Shtetet palë në këtë Konventë njohin të drejtën e çdo personi për një nivel jetese të përshtatshëm për vete dhe familjen e tij, përfshirë ushqim, veshje dhe banesë të përshtatshme, si dhe për një përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të jetesës. Shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar realizimin e kësaj të drejte dhe për këtë qëllim njohin rëndësinë e qenësishme të një bashkëpunimi ndërkombëtar që të bazohet në pëlqimin e lirë.” [Theksimi i shtuar.]
Në Komentin e Përgjithshëm 4 në lidhje me nenin e mësipërm, Komiteti për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (KDESK), i cili interpreton KNDESK, ka theksuar:
“...e drejta për strehim nuk duhet të interpretohet në një kuptim të ngushtë apo të kufizuar i cili e barazon atë me, për shembull, strehën që i siguron dikujt vetëm një çati mbi kokë… Ajo duhet parë si e drejta për të jetuar diku në siguri, paqe dhe me dinjitet…”42
Komenti i Përgjithshëm gjithashtu shprehet se individët, si dhe familjet, kanë të drejtë të kenë strehim të përshtatshëm pavarësisht nga mosha, gjendja ekonomike, lidhjet me një grup apo me statuse të tjera, dhe se, gëzimi i kësaj të drejte “nuk duhet të jetë subjekt i asnjë forme diskriminimi.”43Më tej, Komenti i Përgjithshëm kërkon që “Grupeve në nevojë duhet t’u krijohen mundësi të plota dhe të qëndrueshme për të perdorur burimet e duhura të strehimit” dhe që “Shtetet palë duhet t’u japin përparësinë e duhur atyre grupeve sociale që jetojnë në kushte të pafavorshme duke i'u kushtuar vëmendje të veçante”.44
Megjithëse e drejta ndërkombëtare njeh faktin se të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore nuk mund të realizohen plotësisht menjëherë, shteteve palë u kërkohet të përdorin maksimumin e burimeve në dispozicion, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre që janë të disponueshme nëpërmjet ndihmës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, për të vepruar sa më shpejt dhe sa më efektivisht për përmbushjen e plotë të këtyre të drejtave, përfshirë të drejtën për strehim, pavarësisht shtimit të burimeve të disponueshme.45
Karta Sociale Evropiane e Rishikuar thekson se e drejta për strehim është një përbërës kyç i së drejtës për t’u mbrojtur nga varfëria dhe përjashtimi social (neni 30), por edhe një e drejtë e pavarur. Neni 31 thotë:
“Për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për strehim, Palët angazhohen të marrin masa që synojnë: të rrisin mundësitë për strehim të standarteve të përshtatshme, të parandalojnë dhe zvogëlojnë mungesën e strehimit duke synuar eliminimin e tij gradual; të bëjnë çmimin e strehimit të përballueshëm nga ata që nuk kanë të ardhura të përshtatshme”.
Aktualisht Shqipëria nuk e konsideron veten të detyruar nga nenet 30 apo 31.
3.2 Ligji shqiptar dhe e drejta e jetimit për prioritet në strehim
Kushtetuta shqiptare kërkon që shteti të synojë arritjen e një sërë objektivash sociale “brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private” (neni 59). Këto përfshijnë plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim (neni 59.1 b), dhe sigurimin e përkujdesjes dhe ndihmës “për të moshuarit, jetimët dhe invalidët” (neni 59.1 e).
Përgjegjësitë specifike të shtetit në lidhje me strehimin e jetimëve përcaktohen në ligjin “Për Statusin e Jetimit” i cili vendos kriteret për t’u njohur si jetim, të drejtat që rrjedhin nga ky status (përfshirë të drejtën për t’u trajtuar me prioritet për strehim) dhe procedurat për ta marrë atë.46Në bazë të nenit 1 të këtij ligji, statusi i jetimit u jepet personave deri në moshën 25 vjeç që kanë kaluar ose jo nëpër institucione shtetërore a private të përkujdesjes shoqërore dhe që plotësojnë këto kritere a) janë të lindur jashtë martese; b) nuk kanë gjallë asnjërin nga prindërit; c) u është hequr me vendim të formës së prerë të gjykatës e drejta prindërore e të dy prindërve (ose e njerit prind dhe prindi tjetër nuk jeton); d) që braktisen nga të dy prindërit dhe nuk njihet identiteti i tyre.47
Sipas dispozitave të ligjit, ata që njihen si jetimë gëzojnë një sërë të drejtash dhe mbrojtje të veçantë. Në mënyrë të veçantë, neni 17 shprehet se “Strehimi i personave që përfitojnë nga ky status bëhet me përparësi dhe me kredi afatgjata nga shteti”. Neni 2 lejon që personat e njohur si jetimë të vazhdojnë ta gëzojnë këtë status (dhe si rrjedhim, edhe të drejtat që vijnë nga ky status, përfshirë të drejtën për t’u trajtuar me përparësi për strehim) edhe pas moshës 25 vjeç “nëse nuk janë trajtuar nga shteti me strehim dhe janë në kushte të vështira jetese”.
Gjithsesi, procedura për të ushtruar këtë të drejtë nuk ishte e përcaktuar qartë deri gjashtë vjet pas miratimit të ligjit, me një vendim të qeverisë të datës 4 korrik 2002.48 Ky vendim u jep jetimëve të cilëve u është njohur statusi, të drejtën për të paraqitur një kërkesë për strehim tek organet e qeverisjes vendore kur mbushin moshën 18 vjeç. Vetëm ata që kërkojnë banesë për herë të parë kanë të drejtë të trajtohen. Kërkesat administrohen nga organet e qeverisjes vendore në bashkëpunim me Shoqatën e Jetimëve të Shqipërisë. Qeverisja qendrore, nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, duhet të planifikojë fondet e nevojshme sipas kërkesës së organeve të qeverisjes vendore, për trajtimin e tyre me përparësi në strehim.
3.3 Politikat e qeverisë për strehimin
Sikurse shumica, ose të gjitha vendet post-komuniste, Shqipëria në vitin 1991 u ballafaqua me sfida të mëdha ligjore dhe praktike përsa u përket politikave të strehimit, dhe transformimit të një sistemi të bazuar gjerësisht në pronësinë shtetërore në një sistem ku mbizotëron prona private dhe tregëtia e lirë. Në vitin 1993 u privatizuan pronat shtetërore (shumica e tyre në gjendje të keqe), dhe u shitën me kushte të favorshme, ose u dhanë pa pagesë në favour të atyre që i përdornin, në rastin e pronave të vogla. Së dyti, u miratuan ligje që rregullojnë regjistrimin e tokës dhe kthimin e saj apo kompensimin e pronarëve të cilëve iu ishte marrë prona për qëllime shtetëzimi ose u ishte konfiskuar pas vitit 1945. Dy proceset e fundit, ndryshe nga privatizimi i apartamenteve (i cili u krye shumë shpejt), kanë vazhduar ngadalë dhe kanë sjellë shumë konflikte pronësie dhe çështje gjyqësore. Ndërkohë, pas fundit të regjimit komunist dhe heqjes së kufizimeve për lëvizjen e lirë të popullsisë, vijoi një eksod masiv nga fshatrat nëpër qytetet e mëdha në kërkim të punësimit. Kërkesa e madhe dhe numri i kufizuar i shtëpive urbane sollën një rritje të vrullshme të çmimeve të shtëpive. Mungesa e madhe e banesave sociale apo me kosto të ulët në zonat urbane rezultoi në rritjen e zonave informale në rrethinat e qyteteve, disa prej të cilave janë legalizuar kohët e fundit.
Në vitin 1993, me ndihmën e një kredie të Bankës Botërore, qeveria nisi një program për përfundimin e apartamenteve shtetërore, duke krijuar kështu 8.600 njësi të tilla.49 Këto u shitën me kushtë të favorshme, kryesisht me këste afatgjata, disa kategorive të familjeve të pastreha, të përzgjedhura më pak në bazë të shkallës së varfërisë, sesa të faktorëve politikë: ish-të burgosur politikë, persona që kishin humbur shtëpitë si rezultat i procesit të kthimit të pronave, dhe më pas, persona që kishin humbur shtëpitë si rezultat i investimeve në firmat “piramidale” në vitin 1997. Një studim i vitit 2000, i bazuar në analiza e shembuj familjesh që përfituan nga këto apartamente të subvencionuara nga shteti, arriti në përfundimin se 90 përqind e këtyre familjeve kishin të ardhura mbi mesataren në Tiranë (ku të ardhurat janë më të larta se mesatarja kombëtare).50 Me fjalë të tjera, në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të shtetit, strehimi social nuk iu ofrua personave më në nevojë, ku bëjnë pjesë edhe jetimët në moshë madhore, për të cilët blerja e një apartamenti, edhe me kredi të subvencionuara është në përgjithësi një perspektivë e largët. Për më tepër, si rezultat i privatizimit të pronave shtetërore në vitin 1993, nuk kishte më apartamente në pronësi të shtetit që të mund të merreshin me qira, gje e cila do të ishte ndoshta zgjedhja më realiste për shumë nga grupet e pambrojtura në Shqipëri. Një pasojë e këtyre politikave eshte krijimi i një klime në të cilën pasja e një shtëpie në pronësinë tënde private është një normë për të cilën aspirojnë edhe familjet më të varfëra.
Në vitin 2002 një studim i sektorit të strehimit në Shqipëri, i kryer nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën me kërkesë të qeverisë shqiptare, tregoi se numri i familjeve të pastreha në listën e pritjes së qeverisë po rritej në mënyrë të vazhdueshme. Në atë kohë, sipas studimit, qeveria kishte detyrime karshi 46.000 familjeve të pastreha të regjistruara nga 1992 në 1998. Këto familje ishin klasifikuar në gjashtë kategori të mëdha, asnjëra prej të cilave nuk lidhej me të ardhurat apo kriteret sociale.51 Studimi vuri në dukje:
“Strehimi social duket se nuk është prioritar në axhendën e qeverisë. Duke patur parasysh se ka një numër të madh njerëzish në varfëri të vazhdueshme, do të ishte me vend që qeveria të merrte përgjegjësinë për të siguruar banesa, strehim social me qira dhe shtëpi me çmime të përballueshme për ta.”52
Rekomandimet e studimit përfshinin edhe një rekomandim për të siguruar strehim social apo shtetëror për personat më në nevojë.
3.4. Legjislacioni për trajtimin nevojave për strehim të personave të varfër dhe të pambrojtur
Në bazë të Plan-veprimit për Strategjinë Kombëtare të Strehimit të miratuar në vitin 2001, si dhe në bazë të rekomandimeve të mësipërme, qeveria hartoi ligjin “ Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i cili u miratua në vitin 2004.53 Ky ligj përcakton kategoritë e personave që përfitojnë nga programet sociale të strehimit, format e ndryshme të strehimit social që parashikohen, si dhe përgjegjësitë e autoritetëve të ndryshme qendrore dhe të pushtetit vendor.
Familjet dhe individët që përfitojnë nga ky strehim përfshijnë ato që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme (sipas përcaktimeve të nenit 6 të këtij ligji) dhe që bëjnë pjesë në një prej tre grupeve të mëposhtme: 1) nuk kanë në pronësi një banesë, 2) zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë; dhe 3) kanë mbetur të pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore.
Neni 5 i këtij ligji u jep prioritet familjeve ose individëve që nuk kanë përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore në vitin 1993, familjeve ku kryefamiljari është një grua e ve ose e divorcuar, familjeve njëprindërore, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuar, invalidëve të luftës dhe invalidëve të punës, familjeve me shumë fëmijë, çifteve të reja, familjeve që kanë ndryshuar vendbanim për shkaqe punësimi, dhe jetimëve deri në moshën 30 vjeç.
Format e parashikuara të banesave sociale përfshijnë strehimin me qira, i cili në disa raste subvencionohet (deri në 75 përqind të qirasë, në rastin e jetimëve). Mundësi të tjera janë banesat me kosto të ulët për t’u blerë me kredi afat-gjata, dhe shitja e truallit së bashku me infrastrukturën dhe lejet e ndërtimit familjeve që duan të ndërtojnë shtëpitë e tyre.
Përzgjedhja e personave që përfitojnë nga këto programe bëhet nga komisioni bashkiak i strehimit, i cili përfshin edhe përfaqësues të OJF-ve të regjistruara që mbrojnë interesat e grupeve të përmendura në nenin 5 të ligjit. 54 Amnesty International është e shqetësuar tek vëren se në praktikë duket se komisioni bashkiak i strehimit në Tiranë ka përfaqësues të vetëm dy OJF-ve (Fondacioni Shqiptari të Drejtave të Aftësisë së Kufizuar –ADRIF - dhe Kryqi i Kuq), asnjëra prej të cilave nuk përfaqëson jetimët.55
Këto programe për strehim social duhet të financohen nga buxheti i shtetit, kontributet e donatorëve të ndryshëm, të ardhura që krijohen nga taksat vendore mbi pasurinë e paluajtshme, dhe të ardhura nga veprimtaritë fitimprurëse të bashkisë.
Ministria e Punëve Publike, së bashku me Ministrinë e Financave, atë të Punës dhe Çështjeve Sociale dhe atë të Decentralizimit, si dhe bashkitë janë përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji. Autoritetet bashkiake duhet të hartojnë programme 10-vjeçare strehimi për popullsinë nën juridiksionin e tyre dhe të sigurojnë fondet e nevojshme. Ata janë gjithashtu përgjegjës për ndërtimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e banesave sociale me qira. Për më tepër ligji vendos krijimin e një Komiteti Kombëtar për Strehimin për të këshilluar ministritë përkatëse në lidhje me këtë politikë.
Ndërsa ky ligj nuk shfuqizon në mënyrë eksplicite dispozitat e Ligjit për Statusin e Jetimit, përsa i përket të drejtës së jetimëve për t’u trajtuar me përparësi për strehim, duket se ai e dobëson pozicionin e tyre. Tashmë jetimët figurojnë si një kategori mes shumë të tjerave për të përfituar strehim, dhe kjo e drejtë e tyre mbaron kur ata arrijnë moshën 30 vjeç. Kjo duket se bie ndesh me Ligjin për Statusin e Jetimit, i cili lejon një shtrirje të pakufizuar, tej moshës 25 vjeç, të statusit të jetimit dhe të të drejtave që lidhen me të, përfshirë të drejtën për strehim, nëse jetimi nuk ka përfituar strehim më parë nga shteti dhe jeton në kushte të vështira.
4. REALITETI – JETIMËVE TË RRITUR U MOHOHET E DREJTA PËR STREHIM
Në prill të vitit 2007 Drejtoresha e Strehimit Social në Ministrinë e Punëve Publike informoi Amnesty International se ligji “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” nuk ishte zbatuar ende. Shumica e bashkive ende nuk kishin fonde, trajnim apo kapacitete për ta zbatuar atë. Megjithatë, në vitin 2008 bashkitë janë të detyruara të paraqisin projektet e tyre në bazë të të cilave do të marrin edhe buxhetin përkatës. Drejtoresha pranoi se deri në atë moment strehimi u ishte siguruar jetimëve vetëm ad hoc. Ajo përmendi se rreth 10 jetimë në moshë madhore nё Berat kishin përfituar nga banesat sociale.56Presidenti i Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë informoi Amnesty International se para vitit 2004 kishin përfituar strehim 14 të tillë. Ndoshta ka edhe raste të tjera, por është e qartë se shumica dërrmuese e personave që kanë statusin e jetimit (aktualisht ka 719 të regjistruar 57) nuk e kanë gëzuar të drejtën e tyre për t’u trajtuar me përparësi në lidhje me strehimin.
4.1 Nga konvikti në …. konvikt
“Në 1990 mbarova shkollën e mesme [në Kuçovë] dhe nuk gjeta punë. Sapo filloi koha e trazirave kështu që asnjë s’përgjigjej për ne.58Në Kuçovë ne ishim vetëm tre jetimë e në konvikt nuk të linte njeri të qëndroje. Kështu që unë erdha në Tiranë menjëherë pas shkollës. Kemi lëvizur në shumë konvikte gjatë kësaj kohe. Në fillim jetonim në konviktin e shkollës së mesme të ndërtimit, na përzunë prej andej. E pastaj na çuan aty afër Lidhjes së Shkrimtarëve e më në fund përfunduam këtu [konvikti i shkollës së mesme Hoteleri–Turizëm]. Gjithë jetën kështu kemi jetuar nëpër konvikte e institucione shtetërore” [theksimi i shtuar].
D, 35 vjeç, i rritur në jetimoret e Durrёsit dhe Tiranës.59
Mëdyshja me të cilën u përballën dy të rinjtë në Vlorë, e përshkruar më sipër, është e zakonshme për mjaft jetimë që janë rritur kanë jetuar nëpër jetimoret shtetërore. Pa ndihmën e të afërmve, edhe ata që kanë fituar shkathtësi që i bëjnë të punësueshëm, mund të kenë vështirësi për të gjetur punë, duke patur parasysh nivelin përgjithësisht të lartë të papunësisë.60Ata më me fat, që kanë mundur t'i ruajnë ose rivendosin kontaktet me të afërmit në vite, mund të gjejnë strehim në këtë mënyrë. Një numër i vogël i të tjerëve gjejnë strehim të përkohshëm në banesat e siguruara nga OJF-të ose fondacionet. Të tjerë u bashkohen shqiptarëve që emigrojnë, shpesh ilegalisht, në Greqi ose Itali për të gjetur punë.
Zgjidhja që ka më pak gjasa është ajo që parashikohet nga legjislacioni shqiptar, sipas të cilit atyre do t’u garantohet e drejta si jetimë për t’u trajtuar me përparësi për strehim.
Si rezultat, shumë jetimëve u mohohet mundësia për strehim të përshtatshëm. Dhe duke mos pasur diçka më të mirë, ata mbahen fort pas asaj që kanë - konvikteve ose ambjenteve gjysmë të shkatërruara të këtyre ndërtesave. Sipas Shoqatës Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë, janë rreth 340 jetimë, shumica nga 25 në 40 vjeç, që jetojnë në konvikte të tilla, ose në ndërtesa të tjera të papërshtatshme, qoftë edhe përkohësisht. Nëpër konvikte ata jetojnë dy deri në katër vetë në një dhomë, përgjithësisht në kushte të mjerueshme, me dushe dhe tualete të përbashkëta të pista.
Megjithëse jetimët e rritur të intervistuar nga Amnesty International nuk paguanin qira, energji elektrike apo ujë, ata jetojnë në varfëri. Me pak kualifikime, shpesh duke jetuar sa për të siguruar bukën e gojës me punë të rastit në ekonominë informale, ata përgjithësisht marrin një ndihmë ekonomike shtetërore që varion nga 1.700 lekë në 3.000 lekë në muaj. (Sipas statistikave të Bankës Botërore të vitit 2003, më pak se 3.047 lekë në muaj konsiderohet “varfëri ekstreme”.61) Neglizhenca e shtetit lehtësohet pjesërisht nga ushqimi dhe veshjet e dhuruara nga OJF-të, si dhe nga keqardhja e atyre që merren direkt me administrimin e konvikteve (të cilët ndjonёherё u japin ushqimet e pakonsumuara tё mensave të studentëve dhe ju ofrojnë disa individëve punësim si pastrues ose mirëmbajtës). Gjithsesi, mundësia e nxjerrjes së tyre nga konvikti është gjithmonë e pranishme.
4.2 Kushtet në konviktet e banuara nga jetimët e rritur – strehim i papërshtatshëm
Sikurse shikohet më lart, neni 11.1 i KNDESK përcakton të drejtën për “strehim të përshtatshëm”. Duke përkufizuar se çfarë kuptohet me strehim të përshtatshëm, Komiteti në Komentin e Përgjithshëm 4 vëren:
“Sikurse janë shprehur si Komisioni për Vendbanimet Njerëzore, ashtu edhe Strategjia Globale për Strehimin për vitin 2000: ‘Strehim i përshtatshëm nënkupton … një jetë private të përshtatshme, hapësirë të përshtatshme, siguri të përshtatshme, ndriçim dhe ajrim të përshtatshëm, infrastrukturë bazë të përshtatshme dhe vendndodhje të përshtatshme në lidhje me punën dhe lehtësirat bazë, të gjitha këto me një kosto të arsyeshme’.”62
D

Tiranë: dhomë në ish-konviktin e Shkollës
Hoteleri-Turizëm © AI
uke e patur këtë si pikënisje, Komiteti vazhdon të identifikojë më nga afër disa kritere dhe aspekte që përcaktojnë përshtashmërinë përsa i përket strehimit: a) siguria ligjore për të drejtën e banimit; b) mundësia e përdorimit të shërbimeve, materialeve, lehtësirave dhe infrastrukturës; c) përballueshmëria financiare; d) banueshmëria; e) aksesi; f) vendndodhja dhe g) përshtatshmëria kulturore.Sipas këndvështrimit të Amnesty International, gjendja në të cilën jetimët e rritur jetojnë në konvikte përfaqëson një dështim serioz në përmbushjen e këtyre kritereve, në mënyrë të veçantë ato të aksesit, banueshmërisë, përballueshmërisë financiare dhe sigurisë së të drejtës së banimit. Së pari, nuk përmbushet kërkesa për akses, siç përcaktohet nga Komiteti: “Strehimi i përshtatshëm duhet të jetë i realizueshëm për të gjithë ata të cilëve iu takon.Grupeve në nevojëduhet t’u garantohen mundësi të plota dhe të qëndrueshme për shfrytëzimin e burimeve të përshtatshme të strehimit.”63
Përsa i përket përballueshmërisë financiare, duhet vërejtur se, për shkak të pamjaftueshmërisë së banesave në qendrat urbane (aty ku më së shumti gjen punë) kostoja e shtëpive në sektorin privat është relativisht e lartë. Marrja me qira e banesave në sektorin privat është gjithashtu problematike për shkak të mungesës së legjislacionit që rregullon dhe mbron të drejtat e qiramarrësve dhe qiradhënësve. Sikurse ka pranuar edhe qeveria: “Shumë familje të regjistruara në listat e të pastrehëve, si rezultat i rritjes së interesit të kredive për strehim, nuk mund të përballojnë shlyerjen e huasë, dhe shumë familjeve të tjera në listë nuk u jepet mundësia të hyjnë në tregun e shtëpive të përballueshme financiarisht për t’i blerë apo për t’i marrë me qira.”64
Më tej, kushtet aktuale të jetimëve të rritur që jetojnë në konvikte bien nën standartet e vendosura për banueshmërinë siç përkufizohet nga Komiteti:
“Strehimi i përshtatshëm duhet të jetë i banueshëm, përsa i përket ofrimit të një hapësire të përshtatshme dhe mbrojtjes së banorëve nga i ftohti, lagështira, nxehtësia, shiu, era ose kërcënime të tjera për shëndetin, rreziqe të strukturës dhe përhapjes së sëmundjeve”.65
Vetë ndërtesat janë shpesh në gjendje të shkatërruar për shkak të mosriparimit.66Dhomat, shpesh me shenja lagështire nëpër mure, kanë pak pajisje, përveç krevateve të vjetra dhe dollapëve të thyer. Ato nuk ofrojnë kushte për jetë private -- disa njerëz ndajnë të njëjtën dhomë. Korridorët e përbashkët, me muret e pista që u ka rënë boja, janë me lagështirë dhe të ftohtë në dimër. Ndërsa dushet dhe banjot e përbashkëta, që janë në gjendje të mjerueshmë gjatë gjithë kohës, mbajnë një erë të keqe mbytëse gjatë verës dhe mund të konsiderohen si rrezik për shëndetin, sidomos për fëmijët.
Së fundmi, jetimët e rritur që jetojnë nëpër konvikte nuk kanë siguri ligjore për të drejtën e banimit. Komiteti, ndërsa njeh faktin që e drejta e banimit mund të ketë një sërë formash, deklaron:
“Pa marrë parasysh tipin e të drejtës së banimit, të gjithë njerëzit duhet të kenë një farë sigurie, e cila garanton mbrojtjen ligjore ndaj nxjerrjes me forcë nga banesa, ngacmimeve apo kërcënimeve të tjera. Shtetet palë duhet që, si pasojë, të marrin masa të menjëhershme që kanë për qëllim dhënien e sigurisë ligjore për të drejtën e banimit atyre personave dhe familjeve që momentalisht nuk e kanë këtë mbrojtje, duke u konsultuar me personat dhe grupet e prekur nga kjo çështje”.67
Konviktet janë pronë e Ministrisë së Arsimit dhe nevojiten për të përmbushur synimin e tyre fillestar - strehimin e nxënësve të shkollave të mesme. Për t'i sjellë këto ndërtesa në nivelin e standarteve të pranueshëm, Ministrisë do t’i duhet të bëjë një punë të madhe rindërtuese dhe të nxjerrë nga ndërtesat ata që jetojnë atje. Në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë, jetimët janë përballur me kërcënime për t’u nxjerrë nga ndërtesa. Në rastin e Korçës, që nga viti 2006 ky kërcënim u vjen vërdallë mbi 15 jetimëve, kryesisht vajza nga 20 në 35 vjeç, që jetojnë në konviktin e shkollës së mesme “Demir Progri”. Ato fillimisht erdhën nga pjesë të ndryshme të Shqipërisë për të studiuar në atë shkollë. Meqënëse atyre nuk iu sigurua strehim pas mbarimit të shkollës, ato qëndruan në gjashtë dhoma të ndodhura në të dy katet e ndërtesës. Shumica janë të papuna ose punojnë me paga të ulëta si rrobaqepëse. Në qershor të vitit 2006 Drejtoria Rajonale e Arsimit i njoftoi vajzat se ndërtesa do të rinovohej për t’u përdorur nga nxënësit dhe i urdhëroi të largoheshin prej saj brenda 15 qershorit 2006. Albina Nazifi, 21 vjeç, pyet: “Kam jetuar këtu me tre vajza të tjera në një dhomë për pesë vitet e fundit. Ata duan që ne të ikim, po ku të shkojmë?”68
Thuhet se kryetari i atëhershëm bashkisë së Korçës, me një padije të dukshme të përgjegjësive të shtetit për jetimët u shpreh se ato tashmë ishin të rritura dhe duhet të gjenin vetë zgjidhje për problemet e tyre të strehimit.69
Rezistenca e jetimëve ndaj nxjerrjes nga ambjentet çoi në vonesë në fillimin e punimeve. Megjithatë, në fund të majit 2007 autoritetet lajmëruan sërish jetimët se, nëse ata nuk largoheshin brenda 48 orëve, do të nxirreshin jashtë forcërisht.70Kryetari i tanishëm i bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, premtoi që invalidët dhe jetimët do të trajtoheshin me përparësi kur të përfundonte në dhjetor 2007 projekti prej 80 apartamentesh për ndërtesa sociale, dhe se një grup pune dy partiak do të përzgjidhte përfituesit me një process transparent, bazuar mbi një sistem pikësh. Gjithsesi, jetimëve nuk iu ofrua asnjë zgjidhje për problemin imediat të strehimit të tyre.
Në 2 qershor, shtypi raportoi se pas disa protestave të jetimëve para Bashkisë, Prefekturës dhe Drejtorisë Rajonale të Arsimit, autoritetet bashkiake vendosën të gjenin një zgjidhje të përkohshme për jetimët dhe të paguanin qiranë e tyre. Gjithsesi, thuhet se jetimët nuk u njoftuan drejtpërdrejt për këtë vendim dhe mbetën skeptikë për shkak të premtimeve të pambajtura.
Në këtë rast, urdhri për t'i nxjerrë jetimët nga ndërtesa u pezullua edhe një herë. Punimet në ndërtesë u ndalën në qershor 2007, kur firmës së ngarkuar me rinovimin iu hoq licensa si pasojë e një aksidenti në punë të ndodhur në një konvikt tjetër në Tiranë, për të cilin firma u quajt përgjegjëse. Mbetet ende për tu parë nëse do të mbahet premtimi që iu bë jetimëve për t’u dhënë prioritet për strehim në dhjetor.
4.3 Hezitimi i shtetit për të përmbushur detyrimet ligjore
Mosmarrja nga ana e shtetit e masave efektive për përmbushjen e detyrimeve në lidhje me të drejtën për strehim të jetimëve të Korçës është karakteristikë e një paaftësie më të madhe në këtë fushë. Në korrik 2005 një artikull në shtyp përshkruante B., një jetime e rritur që jetonte në Tiranë në konviktin e Shkollës së mesme Hoteleri-Turizëm (ish-Shkolla Teknologjike), së bashku me bashkëshortin (edhe ai jetim) dhe vajzën e tyre të vogël. Thuhej se rreth 30 jetimë jetonin në pjesë të asaj godine në atë periudhë. B. shprehej:
“Shumë fonde janë dhënë për strehimin tone, njerez që kemi statusin e jetimit, dhe shume formulare kemi plotesuar per vite me radhe por deri tani nuk na është dhënë banesë. Kështu që kam vazhduar të jetoj ketu, bashkë me familjen time.”71
Megjithatë, godina ishte në një gjendje aq të keqe saqë nevojitej të bëhej një punë e madhe rindërtuese, dhe mesa duket kjo familje dhe jetimët e tjerë duhet të largoheshin prej andej shumë shpejt. Autoritetet siguruan strehim të përkohshëm në konviktin e Shkollës Elektrike, por vetëm për 11 jetimë që ishin ende nxënës të shkollës së mesme.
N

Tiranë: dhomë në ish-konviktin e Shkollës
Hoteleri-Turizëm © AI
dërkohë, autoritetet debatonin se kush duhet të mbante përgjegjësinë përbanorët e tjerë, të cilët refuzonin të largoheshin derisa t’u sigurohej strehim alternativ. Sipas shtypit, drejtoresha e konviktit shpjegoi se 50 deri 60 jetimë, shumë prej tyre ish-nxënës, kishin jetuar në konvikt. Ajo komentoi:
“Ky është një institucion shkollor dhe nuk mund të përdoret për të zgjidhur problemet e strehimit. Por edhe keta njerez jane ne nevoje dhe nuk mund të nxirren në rrugë. Ata duhet të trajtohen sa më shpejt nga shteti, sepse kanë zënë shumë hapësira që në fakt u takojnë nxënësve të shkollës… Bashkia është përgjigjur që banorët duhet të mbushin formularët e strehimit nëpër njësitë përkatëse… Ne e kuptojmë që ajo s’mund të bëjë më shumë, por formularet kerkojne shume kohe dhe kushte, kurse problemi duhet të zgjidhet sa më shpejt…Shërbimi Social na është përgjigjur që t’i vendosim familjarët në një konvikt tjetër, përkohësisht, sa të mbarojë rikonstruksioni i konviktit të hoteleri-turizmit dhe pastaj t’i kthejmë prapë aty. Derisa t’u sigurohet strehim i mirëfilltë. Por kjo nuk është e drejtë, konvikti është një institucion arsimor, jo strehimi. Nuk ka pse të merret drejtoria arsimore me problemet e strehimit”.72
Një ditë më pas, Drejtoresha e Shërbimit Social u përgjigj se strehimi i personave me statusin e jetimit është përgjegjësi e qeverisjes vendore.
Dy vjet më pas, kur Amnesty International vizitoi konviktin në prill 2007, kishte shumë pak ndryshime. Punimet e rikonstruksionit nuk kishin nisur ende dhe B., bashkëshorti i saj E., dhe vajza e tyre katër vjeçare jetonin ende në një dhomë në katin e dytë të një pjese të shkatërruar të konviktit.
Zyrtarë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe Bashkia e Tiranës, me të cilët u takuan të dërguarit e Amnesty International në prill 2007, nuk e mohuan faktin që kushtet e jetimëve nëpër konvikte janë të papranueshme, apo që shteti nuk po përmbushte detyrimet ligjore ndaj tyre, por dhanë pak shpresa për një zgjidhje të afërt. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror pranoi pa nguruar se strehimi i jetimëve pasi mbarojnë shkollën e mesme ishtë një “pikë e dobët”. Ndërsa disa zyrtarë shprehёn keqardhje për gjendjen e jetimëve të pastrehë, Amnesty International u përball edhe me kundër-argumente. Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Këshillin e Bashkisë së Tiranës i tha Amnesty International:
“Jetimët e shkollës teknologjike [Shkolla Hoteleri–Turizëm] nuk janë regjistruar si të pastrehë, dhe duan që të privatizojnë konviktin. Për ta është më e lehtë dhe e favorshme të qëndrojnë në konvikt sesa të marrin shtëpi me qira. Në konvikt ata nuk paguajnë drita, ujë, qira. Në një farë mënyre atyre u pëlqen kjo mënyrë jetese.”

Ky qëndrim sugjeron se jetimët nëpër konvikte në një farë mënyre shfrytëzojnë shtetin, një akuzë e cila qartazi nuk qëndron po të kihet parasysh dështimi i shtetit për të respektuar, mbrojtur dhe përmbushur të drejtën e jetimëve për një strehim të përshtatshëm. Qëndrimi gjithashtu kërkon të tregojë se jetimët janë përgjegjës për kushtet në të cilat jetojnë, sepse nuk kanë plotësuar kërkesat formale për të marrë strehim. Është e vërtetë se jo të gjithë jetimët që Amnesty International takoi në Tiranë dhe Shkodër kishin plotësuar procedurat që duhen për të bërë kërkesë për banesa sociale. Shpjegimi i tyre kryesor, i cili nuk mund të quhet i paarsyeshëm po të kesh parasysh politikat e strehimit deri atëherë, ishte se ata nuk kishin besim se kërkesat e tyre do të kishin sukses. Për shembull, tre vajza në Shkodër i thanë Amnesty International se kishin statusin e jetimit, por nuk kishin bërë kërkesë për strehim, duke shtuar “S’kanë për të na i dhënë, gjithsesi”. Megjithatë, një faktor tjetër vendimtar ishte frika se të ardhurat e tyre të ulëta nuk do të mjaftonin për të blerë një banesё sociale me kosto të ulët, qoftë edhe me një kredi afat-gjatë (i vetmi opsion i mundshëm deri atëherë), dhe për të paguar faturat dhe shpenzimet të tjera të jetesës. Disa përmendën se edhe bërja e një kërkese kërkonte shpenzime, të cilat ata me zor mund t’i përballonin, si dhe përgatitje të konsiderueshme dokumentesh.
Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, në diskutimet me Amnesty International, e konsideroi çështjen e strehimit të jetimëve nëpër konvikte në kushte shumë të këqija si një problem gjerësisht “historik”. Sipas tij, problemi ishte një relike e viteve të hershme të tranzicionit, me jetimët si brezi më të prekur, periudhë në të cilën lidhjet e shtetit me qytetarët ndryshuan në mënyrë të mënjëhershme. Është e vërtetë se disa nga jetimët e intervistuar nga Amnesty International ishin rritur në një kohë kur mund të pristin me një farë besimi se shteti, i cili deri në atë moment ishte kujdesur për ta, do të vazhdonte të kujdesej. Gjithashtu, të paktën dy prej jetimëve që u takuan me Amnesty International kishin marrë shtëpi apo ndanin një shtëpi me të tjerë përpara vitit 1991, por e kishin humbur ose duke e shitur, ose në firmat “piramidale” nga 1996 deri në 1997. Fundi i regjimit komunist i gjeti jetimët, si edhe shumë prej bashkëkombasve të tyre, të papërgatitur për t’u përballur me kushtet e reja, përfshirë edhe një ekonomi tregu pothuajse të parregulluar. Megjithatë, këto fakte nuk e mohojnë detyrimin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar për të përmbushur detyrimet e tij ligjore për strehimin e jetimëve dhe grupeve të tjera të pambrojtura.
Gjithashtu, nuk është e vërtetë sejetimët që mbarojnë shkollën e mesme nuk rrezikojnë më të mbeten të pastrehë, siç tregon shembulli i Vasil Stefës dhe Marsel Gurit (shiko më lart). Fakti se ka më pak jetimë në moshë madhore që kërkojnë strehim nëpër konvikte, nuk tregon domosdoshmërisht një zgjidhje të suksesshme të këtij problemi. Në mungesë të një sistemi që mbështet dhe ndjek ecurinë ejetimëve kur dhe pasi arrijnë moshën madhore, nuk është e mundur të dihet fati i tyre.
Megjithatë, të dërguarit e Amnesty International vunë re se jetimët që ata takuan në konviktet e Tiranës dhe Shkodrës ishin mbi 20 vjeç. Një listë prej 52 jetimësh që jetonin në konvikte apo në banesa të tjera të marra me qira përkohësisht në Shkodër, e hartuar në vitin 2005 nga dega e Shkodrës e Shoqatës Kombëtare të Jetimëve, tregon se vetëm një prej tyre ishte nën 20 vjeç në atë kohë, ndërsa shumica ishin mbi 25 vjeç. Nga informacioni i mbledhur nga Amnesty International, duket se kjo ndodh pjesërisht për shkak të punës së disa OJF-ve që ofrojnë strehim të përkohshëm apo trajnime dhe programme punësimi, të cilat në disa raste i lejojnë jetimët dhe të rinj të tjerë të rrezikuar që të fitojnë mjaft pará për të përballuar qiranë në treg të lirë.73Gjithashtu, jetimoret tani inkurajojnë kontaktet mes jetimëve “socialë” dhe të afërmve të tyre, dhe në këtë mënyrë disa jetimë mund të bashkohen me familjet. Megjithatë, jetimët në moshë madhore dhe aktivistët për çështje të jetimëve me të cilët biseduan të dërguarit e Amnesty International prireshin të shprehnin mosbesim për suksesin e kësaj politike, duke theksuar se rrethanat në të cilat fëmija u la në përkujdesje shtetërore, shpesh vazhdojnë të ngelen të njëjtat. Ri-integrimi me familjen, megjithëse i dëshiruar, nuk është gjithmonë i mundur. Jetimët janë të vetëdijshëm për rrezikun e refuzimit, siç shprehet nga ky jetim 17 vjeçar:
“Kam frikë t'i kërkoj prindërit, ndoshta edhe kanë vdekur, se nuk janë bërë fare të gjallë. Kam dashur disa herë të shkoj t’i takoj, por kam ndërruar mendje. Më mirë të vijnë të më kërkojnë ata. Një shok … nuk la dy gurë bashkë, për të gjetur prindërit dhe kur i gjeti, njerka nuk e pranoi në shtëpi. I tha se, nëse kthehej sërish tek ata, do ta zhdukte.”74
Sipas shtypit një tjetër jetim shprehet: “Nuk më pëlqen të shkoj për vizitë tek të afërmit. Sot ka ardhur koha që as vëllai me vëllanë nuk e duan njëri-tjetrin, jo të të duan të afërmit e largët”.75C., një jetim që jeton në një konvikt në Shkodër, i tha Amnesty International se ai arriti ta gjente të ëmën, por ajo nuk e priti mirë.
4.4 Të shtyrë deri në skajet e shoqërisë – pasojat e dhunimit të së drejtës për strehim të përshtatshëm
“Jemi refugjatë në vendin tonë.”
Jetim në moshë madhore i intervistuar nga Amnesty International
Duke mos arritur të përmbushë detyrimet ligjore për t’u siguruar jetimëve strehim të përshtatshëm, shteti shqiptar cënon edhe të drejtën e tyre për të gëzuar të drejta të tjera njerëzore, si ajo për të pasur familje, për të punuar, për të jetuar me dinjitet dhe për të pasur integritet personal. Kështu ata vendosen para një rrethi vicioz varfërie dhe përjashtimi social.

Shkodёr: konvikti i shkollës industriale, pjesa e
tualeteve © AI
Sikurse është parë, jetimët në konviktet e Tiranës, Shkodrës, Korçës dhe Vlorës, janë në fakt duke jetuar në “geto” jetimësh, një mjedis i cili vetëm mund të përkeqësojë izolimin e tyre dhe të pengojë integrimin e tyre social.
Ky proces u përshkrua më së miri nga F., një jetim në të dyzetat, i cili ishte punësuar si kujdestar në konviktin e Shkollës së Muzikës (shkollë e mesme) në Shkodër që prej vitit 1993. Një pjesë e kësaj ndërtese është e banuar nga 13 jetimë meshkuj nga mosha 26 në 36 vjeç, shumica e të cilëve u vendosën këtu pasi mbaruan studimet në Shollën e Mesme të Veterinarisë ose atë të Ndërtimit. F. i tha Amnesty International:
“Është e vështirë të kesh jetimët e vjetër në konvikt, sepse ata janë të rritur dhe bëjnë një jetë krejt tjetër nga konviktorët që i përkasin shkollës. Ata punojnë, kanë orare të ndryshme, vijnë vonë në konvikt. Jetojnë në katin e parë ku kalojnë të gjithë konviktorët e tjerë. Pijnë cigare, alkohol, etj. Këta jetimë s’kanë asnjë perspektivë në jetë. Ata jetojnë sot për sot. Jetojnë me ato pak parà që marrin nga shteti e nga ndonjë pune e rastit që mund të gjejnë... Jetimët s’kanë as kushtet më minimale. Në një dhomë të vogël dy, tre, katër veta. Pa shtëpi e pa punë. Shtëpia është jeta, stabiliteti. Për sa kohë do të jenë ata në gjendje të jetojnë në konvikt? E ku do të përfundojnë ata më pas? Këtu është shumë e vështirë edhe për studentin e rregullt që jeton në konvikt për 4 vjet dhe shkon në shtëpi tek prindërit çdo dy-tre herë në muaj. Jo më për një njeri që jeton në konvikt për 20 vjet. Kur jetimët gjejnë një punë, sepse ata janë jetimë e nuk kanë asnjë njeri kush të përgjigjet për ta e t’i ndihmojë, pronari i mban në pune dy-tre javë e pastaj i heq nga puna. Kështu që çfarë lloj stabiliteti do të kenë ata në jetë? … U them të gjejnë një punë, një të sigurtë. Paguhen shumë keq dhe shfrytëzohen në treg të zi, prandaj humbasin motivimin për punë. Ata nuk janë të përgatitur për t’i mbijetuar kapitalizmit, janë institucionalizuar; ata nuk i pret asgjë atje jashtë.” 76

Sipas tregimit të F., në vitin 1988 atij dhe gjashtë jetimëve të tjerë iu dha një apartament nga shteti; katër prej tyre më vonë u martuan dhe u larguan. Të tjerët e bindën [F] që të shisnin apartamentin në vitin 1997 dhe të ndanin vlerën e shitjes. Ai nuk mund të përballonte blerjen e të gjithë apartamentit, dhe shkoi në konviktin e Shkollës së Muzikës, ku ka edhe dhomën e tij të mobiluar thjesht. Ai reflektoi: “Unë humba shumë duke shitur shtëpinë. Do të isha martuar e do të kisha fëmijë të rritur…Unë mundohem të punoj e të mbush jetën time. Kur bëj punë të ndryshme në konvikt më duket vetja sikur bëj punë në shtëpinë time. Fëmijët e konviktit më duken sikur janë fëmijët e mi.” Ai parashikonte një të ardhme të errët për veten në dhomën e tij teke, dhe më pas në azilin e pleqve. Por ende e konsideron veten me fat që është i punësuar në shtet, me të drejtën për pension dhe sigurime shëndetësore.
C., që gjithashtu jeton në konviktin e Shkollës së Muzikës, u shpreh:
“Strehimi është shumë i rëndësishëm, sepse një kore buke ata [jetimët]e hanë, por vazhdojnë të jetojnë në një situatë jo të mirë. Po ashtu disa prej tyre e kanë pranuar këtë gjendje dhe nuk bëjnë asgjë për ta ndryshuar. Ka të tjerë që duan të krijojnë familje e të bëjnë jetë stabël, por është e pamundur pa patur një shtëpi. Duke i dhënë strehimin, e largon nga ky vend dhe i jep atij më tepër motivim për të punuar e për të gjetur mundësi të reja. Duke i dhënë një shtëpi e detyron që të bëjë diçka për jetën e tij. Shumë OJF të huaja u kanë ofruar trajnime të ndryshme, mirëpo shumica e tyre nuk pranojnë të shkojnë në kurs sepse nuk paguhen për pjesëmarrjen. Ata preferojnë të bëjnë çfarëdo pune të vogel e të fitojnë ndonjë lek se të harxhojnë kohen duke u trajnuar.”
F
. dhe C. prekin një temë të
shumëpërmendur, që mohimi i mundësive për strehim të përshtatshëm,
ndikon negativisht mbi të drejtën për të pasur familje. Jetimët në
një numër rastesh folën me pesimizëm për shanset që të mund të
gjenin një partner të qëndrueshëm dhe të krijonin familje. Ata
thanë se si jetimë, pa shtëpi dhe punë të sigurtë, dhe pa
mbështetjen e të afërmve, ata shikoheshin si prej partnerëve të
mundshëm dhe prej famijeve të tyre si një barrë. Një jetim
tha: “Edhe po të njohësh një vajzë që ka një familje,
është shumë e vështirë që të ta varë. Ajo do të thotë: ‘Ti je jetim, s’ke ku
të më çosh e të më mbash’.” Disa vajza thjesht thanë: “Nuk
na do njeri ne”.
4.5 Gjendja e pambrojtur e vajzave jetime që u janë mohuar mundësitë për të pasur strehim të përshtatshëm
Një jetim në Shkodër u tha të dërguarve të Amnesty International se, sipas tij, vajzat jetime ishin më të pafatat: “Ato janë komplet të braktisura, situata e tyre është më e keqja, kalojnë nga njëra dorë në tjetrën.” Në prill 2005Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Integrimit të Jetimёve, i alarmuar nga gjendja e jetimëve që jetojnë në konviktet e Tiranës, shumë prej të cilëve janë vajza, shprehu shqetësimin e tij. “Martohen mes tyre, madje dhe lindin fëmijë të paligjshëm, janë çdo ditë e më shumë të rrezikuar nga rrjetet e trafiqeve, të cilët kanë si synim pikërisht këtë kategori vajzash të reja të braktisura”. Ai shtoi: “Asnjë nga zyrat sociale nuk ka statistika sa fëmijë jetimë të moshës 14 vjeç e lart, enden konvikteve, sa prej tyre janë pre e trafiqeve, prostitucionit apo vjedhin, askush s'e di gjendjen e tyre.”77
Lidhja mes mohimit të së drejtës për një strehim të përballueshëm financiarisht, të sigurt dhe të përshtatshëm, dhe pozitës së pambrojtur të vajzave ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual ilustrohet nga shembulli i mëposhtëm. Në vitin 2001, një vajzë e re që ishte kthyer në Korçë pas gjashtë vjetësh jashtë shtetit tha për shtypin:
“Më thanë [trafikantët] se brenda një viti me të ardhurat e fituara nga prostitucioni do të kisha mundësi të blija jo një apartament, por një shtëpi. Ëndrrën nuk e realizova jo për një vit, por as pas gjashtë vitesh prostitucioni. Paret e mia mbushin xhepat e kapove të këtij trafiku. Më kanë rrahur, më kanë futur në vaskat e banjove me ujë të ftohtë, ndërsa këtë këtu e lanë si kujtim kur fsheha në të mbathura njëqind mijë lireta, (tregon një shenjë plage në kofshë të cilën pas çarjes me thikë ia kishin mbushur me kripë).”78
Në vitin 2001 Mirash Zefi, kryetar i Shoqatës së Jetimëve në Korçë, u përpoq të njoftonte publikun rreth faktit se në shtatë vitet e fundit, 15 jetime, vajza të reja, ishin zhdukur, si dhe për mundësinë që të paktën disa prej tyre ishin trafikuar për prostitucion të detyruar. Në atë kohë, 22 vajza thuhej se jetonin në kushte skandaloze në tre dhoma të një konvikti, duke mbijetuar me një asistencë shtetërore të pamjaftueshme. Tre prej vajzave ishin zhdukur në tre vitet e fundit; njëra prej tyre, një 15 vjeçare, mesa duket ishte joshur nga një i ri që i kishte premtuar se do të martohej me të, duke e shitur më vonë si prostitute në Greqi. Vajzat e tjera të konviktit që kishin lajmëruar autoritetet, raportohet se ishin kërcënuar nga trafikantët: “Me zor nuk do të marrim asnjë prej jush, por po të jeni të zgjuara duhet ta qepni gojën, ose do t’jua qepim ne.” Megjithëse dy nëndrejtorë të konviktit kishin raportuar zhdukjen e vajzave në polici, u tha se autoritetet vendore nuk i kushtuan rëndësi çështjesme arsyetimin se vajzat ishin larguar nga konvikti me dëshirë.79
Në dhjetor 2006 TV shqiptar News24 që transmeton rregullisht një program të quajtur “Jetë në Kërkim”, i cili ndihmon njerëzit që të gjejnë anëtarët e familjes, publikoi rastin e 11 jetimeve, pothuajse të gjitha vajza, që ishin zhdukur në 10 vitet e fundit nga konvikti i shkollës Demir Progri në Korçë. Rasti më i fundit ishte një 20 vjeçare, e cila në tetor 2006 ishte zhdukur bashkë me fëmijën e saj 18 muajsh pa lënë asnjë adresë. Zhdukja e tyre do të ishte injoruar nëse Mirash Zefi nuk do të kishte kontaktuar stacionin televiziv. Siç komentonte një artikull i shtypit:
“Fenomeni në vetvete sjell edhe realitetin e jetimëve në Shqipëri. Sheti merr përsipër rritjen e tyre deri në shkollë të mesme dhe më pas ata harrohen, duke iu dashur të përballen me realitetin mjaft të vështirë edhe për ata adoleshentë që i kanë prindërit dhe rreth të shëndosh familjar.”80
Më pas News24 njoftoi Amnesty International që kishte arritur të gjente vetëm dy prej këtyre grave, të cilat jetonin të dyja në Evropën Perëndimore. Rrethanat e tyre të momentit janë të paqarta, por dukej se konfirmonin dyshimin se ato ishin detyruar t'i nënështroheshin shfrytëzimit seksual.
Në Tiranë, në konviktin e Shkollës së Hoteleri-Turizmit, E. arrin në këtë përfundim: “Shtëpia është shumë e rëndësishme… sidomos për fëmijët, se nuk dua që të rriten si u rritëm ne e të marrin rrugë të keqe. Shumica e vajzave jetime që jetonin në këtë konvikt nuk jetojnë më këtu. Ato kanë ikur në Itali e Greqi, sepse e panë që nuk i priste asnjë e ardhme. Dhe sidomos me stigmën e një jetimeje …”
5. PLANET PËR BANESA SOCIALE – SHPRESË PËR TË ARDHMEN?
Në vitin 2006 numri i familjeve të pastreha të regjistruara në të gjithë Shqipërinë ishte mbi 45.000.81Në vitin 2005 qeveria miratoi programin për ndërtimin e 4.000 apartamenteve për familjet me të ardhura të pakta dhe të pambrojturanë të gjithë vendin deri nëvitin 2010. Deri tani ecuria nëzbatimin e këtij programi ka qenë e ngadaltë. Sipas shtypit, rreth 400 apartamente për të pastrehët duhet të përfundonin në vitin 2005, 250 të tjera u ndërtuan në vitin 2006 dhe një numër i ngjashëm ishte planifikuar për vitin 2007.82Shumë pak jetimë, nëse ka pasur të tillë,mund të kenë përfituar. Për shembull, në vitin 2006 Drejtoria e Strehimit Social e Bashkisë së Tiranës u ka dhënë 30 apartamente personave që mbetën të pastrehë nga firmat “piramidale” të vitit 1997; asnjë prej tyre nuk u dha për jetimët në moshë madhore.83
Në qershor të vitit 2007 qeveria miratoi një marrëveshje me Bankën për Zhvillim tё Kёshillit tё Evropёs (CEB), për një kredi të subvencionuar prej 15 milionë euro, për të mbuluar 60 përqind të kostos së një projekti për ndërtimin e 1.100 apartamenteve që do të strehonin 4.500 vetë. Këto apartamente, të cilat duhet të mbarojnë brenda fundit të vitit 2009, do të ndërtohen në Tiranë, Durrës dhe shtatë bashki të tjera, për t’u marrë me qira nga familje të pastreha me të ardhura të ulëta. Pjesa prej 40 përqind e mbetur e kostos së ndërtimin do të mbulohet nga qeverisja vendore, pronarja e këtyre ndërtimeve, e cila në bazë të dispozitave të marrëveshjes, nuk mund t’i shesë ato brenda 10 vjetëve në vazhdim.84Një projekt-studim fizibiliteti, i përgatitur nga autoritetet shqiptare me asistencën e CEB-it në mars të vitit 2006, arriti në përfundimin se projekti do të ketë “një rol të rëndësishm didaktik dhe novator për sigurimin në të ardhmen të banesave sociale në vend, në përputhje me ligjin ‘Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane’ të vitit 2004.”85
Një numër bashkish kanë programme shtesë për strehimin social. Për shembull, bashkia e Tiranës, me rreth 3.000 familje të pastreha të regjistruara, ka njoftuar për ndërtimin e 680 apartamenteve.86Megjithatë, duket se ka njëfarë hezitimi ndaj idesë së marrjes së shtëpisë me qira mes përfituesve të mundshëm. Pjesa më e madhe e atyre që kanë bërë kërkesë kanë shprehur preferencën për ta blerë shtëpinë në bazë të një kredie të subvencionuar, megjithëse pak prej tyre fitojnë parà mjaftueshëm për të përfituar një kredi të tillë.87
Ndërsa shkalla e këtyre investimeve për banesa sociale nuk rrit shpresa se do të përmbushen menjëherë nevojat për strehim të më të varfërve dhe personave më të pambrojtur, ato pasqyrojnë faktin se pranohet që këto nevoja nuk mund të injorohen më. Mbetet për tu parë se deri në çfarë pike do të respektohet e drejta e jetimëve për t’u trajtuar me prioritet për strehim, “e drejta për të jetuar diku në siguri, paqe dhe me dinjitet”.

6. REKOMANDIME
1. Në lidhje me të drejtën e jetimëve në moshë madhore për strehim të përshtatshëm
Amnesty International i kërkon qeverisë shqiptare:
-
të marrë masa të menjëhershme dhe efektive për të siguruar që jetimëve t’u garantohet e drejta për strehim të përshtatshëm, në përputhje me ligjin shqiptar dhe traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në të cilat Shqipëria është palë;
-
të zhvillojë strategji dhe të marrë masa për përmbushjen progresive të së drejtës për strehim të përshtatshëm për të gjitha grupet në nevojë, përfshirë nëpërmjet parashikimit të fondeve, në përputhje me kërkesat e nenit 2.1 të KNDESK, deri në maksimumin e burimeve ekzistuese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë aty ku është e nevojshme;
-
të mbështesë me fonde, trajnimin dhe monitorimin, kapacitetet e këshillave bashkiakë për të zbatuar programe për banesa sociale, në përputhje me politikën e decentralizimit të qeverisë;
-
të deklarojë që Shqipëria i konsideron të detyrueshëm nenet 16 (e drejta e familjes për mbrojtje sociale, ligjore dhe ekonomike), 30 (e drejta për t’u mbrojtur nga varfëria dhe përjashtimi social) dhe 31 (e drejta për strehim) të Kartës Sociale Evropiane të Rishikuar.
Amnesty International u bën thirrje këshillave bashkiakë
-
të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për të hartuar dhe për të zbatuar efektivisht programe për strehimin social, dhe të sigurojnë që jetimëve t’u jepet prioritet për banesat sociale, në përputhje me ligjin “Për statusin e Jetimit” (Ligj nr. 8153, datë 31.10.1996) dhe ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane” (Ligj nr. 9232, datë 13.05.2004);
-
të bashkëpunojnë ngushtë me përfaqësuesit lokalë të jetimëve për të siguruar që të gjithë jetimët në moshë madhore që përmbushin kriteret për të përfituar, dhe dëshirojnë të bëjnë kërkesë për banesa sociale, të informohen plotësisht rreth programeve ekzistuese të strehimit social, dhe të ndihmohen, aty ku është e nevojshme, me plotësimin e formularëve dhe dhënien e dokumentacionit të duhur;
-
të sigurojnë që përfaqësuesit e jetimëve të përfshihen në komisionet bashkiakë të strehimit, siç kërkohet nga vendimi i qeverisë (Vendim nr. 53, datë 28.01.2005), dhe që gjendja e pambrojtur e jetimëve të reflektohet siç duhet në çdo sistem pikësh të përdorur për dhënien e banesave sociale;
-
të sigurojnë transparencë dhe ndershmëri maksimale në dhënien e banesave sociale;
-
të sigurojnë që banesat sociale të ndërtohen me standarte të mira, duke mbajtur parasysh kriteret për “strehim të përshtatshëm” siç është përcaktuar nga Komiteti për të Drejta Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, në Komentin e Përgjithshëm nr. 4 në lidhje me nenin 11.1 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejta Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.
Amnesty International u bën thirrje donatorëve ndërkombëtarë
Amnesty International u bën thirrje institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën e Këshillit të Evropës për Zhvillim dhe Bankën Botërore, si dhe donatorë të tjerë:
-
të ndihmojnë autoritetet qendrore dhe vendore shqiptare në përmbushjen e detyrimeve për t’u garantuar jetimëve në moshë madhore të drejtën për strehim të përshtatshëm, si duke promovuar programe për strehimin social nëpërmjet asistencës financiare dhe teknike, ashtu edhe duke monitoruar që në procesin e ndarjes së banesave sociale të merret parasysh dhe vecanërisht të trajtohet gjendja e pambrojtur e jetimëve.
2. Në lidhje me të drejtën e jetimëve dhe fëmijëve të privuar nga kujdesi prindëror, për mbrojtje të veçantë
Amnesty International u bën thirrje autoriteteve shqiptare në nivel qendror dhe vendor:
-
t’u mundësojnë familjeve që të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi, përveç rasteve kur kjo nuk është në interesin më të mirë të fëmijës, duke siguruar, aty ku është e nevojshme, masa financiare dhe masa të tjera mbështetëse, në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës të vitit 2005;
-
të përmbushin të drejtat e jetimëve për “mbrojtje të veçantë” gjatë gjithë fëmijërisë së tyre (deri në moshën 18 vjeç), si dhe të drejta të tjera që ata kanë, përfshirë të drejtën për arsim, dhe për mbrojte nga neglizhenca, keqtrajtimi, dhe abuzimi apo shfrytëzimi seksual, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës;
-
Për të garantuar të drejtën e tyre për arsimim, fëmijët jetimë duhet të informohen për të gjitha mundësitë ekzistuese për edukimin e tyre prej nga mund të zgjedhin, dhe të konsultohen në lidhje me dëshirat që kanë. Atyre duhet t’u jepet mbështetje dhe duhet të mbikëqyren që të ndjekin shkollën rregullisht, përfshirë edhe gjatë shkollës së mesme. Duhet të merren masa për të siguruar që ata të fitojnë shkathtësitë praktike të nevojshme për një jetë të pavarur. Të rinjve që kërkojnë, duhet t’u sigurohen shërbimet e duhura në vazhdimësi (edhe pas moshës 18 vjec.).
-
Të vënë në dispozicion fonde dhe trajnim të përshtatshëm në nivel lokal për të siguruar që politikat qeveritare që rregullojnë decentralizimin e shërbimeve sociale dhe de-institucionalizimin e kujdesit për fëmijën, të garantojnë efektivisht interesin më të mirë të fëmijës, në përputhje me nenin 3.1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
1 Sipas të dhënave që iu dhanë Amnesty International nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë.
2 Artikuj në shtypin shqiptar, përfshirë gazetat Shekulli, Koha Jonё, Gazeta Shqiptare, Panorama, Tirana Observer dhe Metropol, më 27 dhe 28 qershor 2007.
3 Sipas shifrave të qeverisë, 16.9 përqind e popullsisë jeton në varfëri me më pak se dy dollarë amerikanë për person në ditë (tetor 2007).
4 Jo të gjithë donin të indentifikoheshin me emrat e tyre, dhe kështu Amnesty International vendosi që në këtë raport të prezantojë emrat e të intervistuarve (si dhe të jetimëve nën 18 vjeç të cituar nga artikujt e shtypit) me një shkronjë e cila nuk ka lidhje me emrin e tyre të vërtetë.
5 Kjo traditë, me gjithë aspektet e saj pozitive gjithsesi nënkupton se këta jetimë, të rritur nga nënat apo gjyshërit, shpesh janë materialisht më të privuar sesa fëmijët e jetimoreve, dhe përbëjnë një prej kategorive të fëmijëve më të privuar ekonomikisht dhe më të pambrojtur në Shqipëri. Llogaritje të ndryshme të përafërta japin shifra nga 16.000 në 42.000.
6 Shifër e dhënë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, sipas shtypit shqiptar (Koha Jonë, Metropol) në 19 maj 2007. (Popullsia e përgjithshme e Shqipërisë është 3.5 milionë.)
7 Gjithashtu ka edhe pesë qendra për zhvillimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar.
8 Një efekt i ndarjes së fëmijëve sipas moshës është se mund të ndahen edhe nga vëllezërit ose motrat, një praktikë që në ditët e sotme cilësohet si e padëshirueshme.
9 Shiko raportin e Amnesty International Shqipëria: Dhuna kundër grave në familje: “Nuk është turpi i saj”, AI Index: EUR 11/002/2006, 30 mars 2006.
10 Në prill 2007 një familje me asistencë sociale merrte nga 1.500 lekë deri në një maksimum prej 7.000 lekë në muaj; në praktikë, në varësi të buxhetit të qeverisjes vendore, familjet mund të marrin edhe më pak se kaq.
11 Shiko vërejtjet përmbyllëse të Komitetit në lidhje me raportin fillestar të paraqitur nga Shqipëria në lidhje me zbatimin e KDF, Vërejtje përmbyllëse të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, Shqipëria, U.N. Doc. CRC/C/15/Add.249 (2005), 31 mars 2005, paragrafët. 44 dhe 45 (a) dhe (b)
12 Sipas nenit 1 të KDF: “Në këtë Konventë, me fëmijë kuptohet çdo qenie njerëzore nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të rasteve kur mosha madhore arrihet më përpara, në përputhje me legjislacionin të cilit ai i nënshtrohet”
13 Nga Strategjia e Shërbimeve Sociale 2005 deri 2010: mpcs.gov.al/images/stories/files/strategjia-sherbimeve-sociale.doc
14 Shiko nenin 29 (a) dhe (d), dhe nenin 34 të KDF.
15 Për shembull, inspektime të bëra nga Zyra e Avokatit të Popullit (përvec vëzhgimeve nga ana e qeverisë); kuti ankesash (në 17 maj 2007 Metropol shkruante se nëpër institucionet e përkujdesjes do të vendoseshin kuti ku fëmijët të mund të depozitonin ankesat e tyre).
16 Akuzat më të fundit, për abuzim seksual me fëmijët, lidhen me një institucion jo-shtetëror, “His Children”, në Tiranë. Procesi gjyqёsor ndaj drejtorit të këtij institucioni dhe tre personave të tjerë ёshtё hapur proceduralisht në tetor 2007.
17 Deri vonë, arsimi i detyrueshëm zgjaste tetë vjet; që prej vitit 2007 të gjithë fëmijët duhet të ndjekin nëntë vjet arsim të detyrueshëm.
18 Metropol, 30 shtator 2006.
19 Alternativa më akademike e arsimit të mesëm, në krahasim me shkollën profesionale, është shkolla e mesme e përgjithshme ose e njohur ndryshe si gjimnazi. Këto shkolla nuk kanë konvikte. Megjithatë donatorë të huaj kanë ndihmuar dy jetimore në Tiranë dhe Shkodër për të siguruar strehim të veçantë brenda ose pranë jetimoreve për një numër të kufizuar të rinjsh që janë në moshë për të ndjekur shkollën e mesme.
20 Vendim i Këshillit të Ministrave, nr.688, datë 26 tetor 2005
21 Nenet 28.1(d) dhe 12.1 të KDF.
22 Në Shkodёr, megjithatë, të dërguarit e Amnesty International u informuan nga drejtori i jetimores se fëmijëve iu merrej mendim në fillim të vitit të fundit të arsimit të detyrueshëm, dhe aty ku ishte e mundur ata dërgoheshin në shkollat e mesme që preferonin, duke marrë parasysh edhe lidhjen me vendin e lindjes dhe të afërmit.
23 Shiko Koha Jonё, 3 qershor 2007, e cila përshruan tubacionet e shkatërruara, banjot e papërdorshme, çatitë që pikonin dhe mobiljet e thyera në konviktin e Shkollës Pedagogjike në Gjirokastër; Korrieri i datës 20 janar 2007 shkruante se në Shkodër nuk janë ndërtuar konvikte te reja që në vitin 1980 dhe se konviktet ekzistuese janë të mbipopulluara dhe në një gjendje shumë të keqe përsa u përket riparimeve.
24 Neni 28.1 (e) i KDF
25 Nenet 17.1(c) dhe 17.2 të Kartës Sociale Evropiane të Rishikuar të vitit 1996. Shqipëria nuk e konsideron se është e detyruar të zbatojë nenin 17.
26 Një rast i fundit i pasqyruar në shtyp ka të bëjë me një vajzë 15 vjeçare, që thuhet se ishte nga jetimorja e Tiranës, e cila ishte ndaluar nga policia e Fierit. Sipas shtypit, nje 40 vjeçar e kishte shfrytëzuar si prostitutë për rreth një vit (shiko Metropol, 12 tetor 2007)
27 Nga Strategia e Shërbimeve Sociale 2005-2010: mpcs.gov.al/images/stories/files/strategjia-sherbimeve-sociale.doc
28 Neni 5 i KDF.
29 Rekomandime nga Dita e Diskutimeve Mbi Dhunën Shetërore Ndaj Fëmijëve, Raport për sesionin e njëzetepestë, shtator/tetor 2000, CRC/C/100, paragrafët 688.20-21.
30 Shiko p.sh. Doracak per Zbatimin e Konventës së të Drejtave të Fëmijëve, botimi plotësisht i rishikuar, UNICEF, 2002, fq 285.
31 Koha Jonё, 14 korrik 2007; Shekulli, 15 korrik 2007
32 Jo i gjithë personeli i jetimoreve me të cilët bisedoi Amnesty International në prill 2007 kishte besim të plotë përsa i përket këtij procesi. U ngritën shqetësime se kjo mund të sillte shkurtim fondesh për jetimoret, shkurtim personeli, i cili do t’i ndante fëmijët nga personat që përkujdeseshin për ta dhe me të cilët ata ishin të lidhur, ose se qeverisja vendore mund të merrte godinat e jetimoreve dhe t’i përdorte për qëllime të tjera.
33 Vërejtje Përmbyllëse të Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, Shqipëri, , U.N. Doc. CRC/C/15/Add.249 (2005), 31 mars 2005, paragrafi 45 (c) dhe (d).
34 Ligj nr.8153, datë 31.10.1996, “Për Statusin e Jetimit”, Neni 4.
35 Shqip, 9 qershor 2007
36 Gazeta Shqiptare, 18 tetor 2007.
37 Gazeta Shqiptare, 6 shkurt 2005
38 Koha Jonё, 18 prill 2005
39 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm 4, E Drejta për Strehim të Përshtatshëm, UN Doc.E/1992/23, paragrafi 7.
40 Ratifikuar nga Shqipëria në vitin 1991.
41 Karta Sociale Evropiane e Rishikuar ështa ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2002.
42 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm 4, E Drejta për Strehim të Përshtatshëm, UN Doc.E/1992/23, paragrafi 7.
43 Po aty; paragrafi. 6.
44 Po aty; paragrafët.8 (e) dhe 11.
45 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm nr. 3, Natyra e Detyrimeve të Shteteve Palë, UN Doc. E/1991/23.
46 Ligj nr. 8153, datë 31 tetor 1996.
47 Për t’iu njohur statusi zyrtarisht, jetimi duhet të bëjë një kërkesë dhe të paraqesë dokumentacionin tek një Komision i Shërbimeve Sociale Shtetërore duke konfirmuar së plotëson kriteret.
48 VKM nr.316, datë 4 korrik 2002, “Për mënyrën e trajtimit me strehim të jetimëve”.
49 Shipëria: Projekti Strehimi me Qëllime Sociale (FIP 14145), mars 2006 (draft), fq.5.
50 D. Andoni Ndikimi i Politikës së Strehimit mbi të Varfërit në Shqipëri. Dhjetor 2000, fq. 56, i cituar në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën, 2002, Profil i Vendit në lidhje me Sektorin e Strehimit, Shqipëria, fq.12.
51 Komisioni Ekonomik i OKB-së për Evropën, 2002, Profil i Vendit në lidhje me Sektorin e Strehimit, Shqipëria, fq.77.
52 Po aty; fq.68.
53 Ligj nr. 9232, datë 13 maj 2004.
54 VKM nr.53, datë 28.01.2005 “Për përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm, afateve dhe procedurave për të përfituar strehim nga programet e banesave sociale me qira”
55 Shiko Programi dhjetё vjeçar pёr strehimin social nё qytetin e Tiranёs, publikuar nga Bashkia e Tiranës, 2006
56 Intervistë me Amnesty International në prill 2007.
57 Shifër e cituar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, e pasqyruar në shtypin shqiptar (Koha Jonё, Metropol) më 19 maj 2007.
58 Demonstratat në korrik 1990, kur shumë shqiptarë kërkuan strehë në ambasadat e huaja në Tiranë, u përshkallëzuan më pas po atë vit në revolta në qytete të ndryshme, dhe përfundimisht, në fillim të vitit 1991, në fundin e regjimit të partisë komuniste dhe zgjedhjet shumëpartiake.
59 Intervistë me Amnesty International në prill 2007.
60 Në maj 2007, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale deklaroi se 13.6 përqind e popullsisë ishte regjistruar si e papunë, por se shifra aktuale, duke përfshirë të paregjistruarit, ishte më e madhe. (Shifrat e papunësisë ndryshojë gjerësisht në varësi të qarqeve, me nivelet më ta larta në atë të Kukësit dhe Shkodrës dhe më të ulët në Tiranë.)
61 Shiko raportin e Bankës Botërore të 28 qershorit 2003: Shqipëria: Studim i Varfërisë. Sipas këtij raporti, “niveli ekstrem i varfërisë llogaritet të jetë 3.047 lekë për person në muaj. Niveli i plotë i varfërisë, i llogaritur duke marrë për bazë të kuotave për artikuj të domosdoshëm jo ushqimorë, vlerësohet të jetë 4.891 lekë për person në muaj.”
62 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm 4, E Drejta për Strehim të Përshtatshëm, UN Doc.E/1992/23, paragrafi 7.
63 Po aty, paragrafi 8 (e)
64 Raporti i parë i Shqipërisë (5 janar 2005) pranë KDESK për zbatimin e KNDESK.
65 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm 4, E Drejta për Strehim të Përshtatshëm, UN Doc.E/1992/23, paragrafi 8 (d).
66 Kushtet në të cilat jetojnë vajzat e rritura jetime në konviktin Safet Spahiu në Shkodër janë një përjashtim i kësaj tabloje të përgjithshme. Në prill 2007 shtatë prej tyre nga 25 në 30 vjeç, jetonin në dy dhoma në një ndarje të rinovuar me fonde të huaja, të pajisura me banjën dhe kuzhinën e tyre dhe ishte tejet i pastër. Megjithëse këto kushte janë shumë herë më të mira sesa ato të jetimëve të tjera në konviktet e vizituara nga të dërguarit e Amnesty International në Shkodër dhe Tiranë, ato nuk ofrojnë jetë private individuale apo siguri ligjore për të drejtën e banimit, dhe autoritetet e konviktit dhe nxënësit u kanë kërkuar autoriteteve vendore të gjejnë një zgjidhje alternative për strehimin e këtyre vajzave.
67 KDESK i OKB, Koment i Përgjithshëm 4, E Drejta për Strehim të Përshtatshëm, UN Doc.E/1992/23, paragrafi 8 (a).
68 Panorama, 29 qershor 2006.
69 Po aty
70 Në datën 31 maj 2007 Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve të qytetit të Korçës për të mos vazhduar me nxjerrjen nga konviktet dhe të siguronin të drejtën e jetimëve për strehim të përshtatshëm: Shqipëri: Pesëmbëdhjetë vetë në Korçë të kërcënuar se do të nxirren nga shtëpita dhe të mbeten të pastrehë (AI Index: EUR 11/001/2007).
71 Shekulli, 28 korrik 2005.
72 Po aty
73 Një shembull është projekti YAPS (Shërbimet e të Rinjve Shqiptarë Profesionistë), një projekt i mbështetur nga UNICEF në Tiranë, ku trajnohen të rinj të rrezikuar, për një sërë shërbimesh, përfshirë shërbimet postare dhe të riparimeve shtëpiake.
74 Shekulli, 8 gusht 2003
75 Po aty
76 Intervistë me Amnesty International në prill 2007.
77Korrieri, 15 prill 2005
78 Koha Jonё, 29 janar 2001
79 Koha Jonё, 29 janar 2001
80 Gazeta Shqiptare, 19 dhjetor 2006.
81 Shipëria: Projekti Strehimi me Qëllime Sociale (FIP 14145), mars 2006 (draft), fq.5.
82 Korrieri, 20 prill 2007.
83 Nga intervista me Drejtoreshën e Strehimit Social të Ministrisë së Punëve Publike, prill 2007.
84 Gazeta Shqiptare, 21 qershor 2007.
85 Shqipëria: Projekti Strehimi me Qëllime Sociale (FIP 14145), mars 2006 (draft), fq. 3.
86 Popullsia e regjistruar e Tiranës në fund të vitit 2006 ishte 586.000 banorë; popullsia e plotë që llogaritet është rreth 200.000 banorë më shumë.
87Shiko Programi dhjetёveçar pёr strehimin social nё qytetin e Tiranёs, botuar nga Bashkia e Tiranës, 2006.
AI Index: EUR 11/005/2007 Amnesty International nëntor 2007